Annegret Kramp-Karrenbauer u zgjodh kryetare e re e CDU-së

Premte, 07 December 2018 18:53

Annegret Kramp-Karrenbauer është kryetare e re CDU-së. Ajo mori 51 përqind të votave në kongresin e Hamburgut të CDU-së. Para votimit ajo u tha delegatëve se ka personalitetin e vet dhe nuk është një "mini Merkel".

Në fjalën e saj pas zgjedhjes, Annegret Kramp-Karrenbauer pranoi e emocionuar fitoren me diferencë të vogël votash. Në raundin e dytë të zgjedhjeve, ajo mori 517 vota, kurse konkurenti i saj Friedrich Merz mori 482 vota. Jens Spahn u eleminua në raundin e parë të votimit.

Annegret Kramp-Karrenbauer ishte shprehur më parë se në rast fitoreje si kryetare ajo do të mbështeste qëndrimin në post të kancelares Merkel deri në fund të mandatit të saj në vitin 2021.
Duke iu drejtuar delegatëve në krye të votimit, Kramp-Karrenbauer foli për perceptimin që ajo është një "mini-Merkel". "Njerëzit më konsiderojnë një kopje, më shumë nga e njëjta gjë, por unë mund t'ju them se qëndroj këtu me personin tim, si vetja ime."

56 vjeçarja Kramp-Karrenbauer ishte kandidatja e preferuar e Kancelares Angela Merkel. Më parë ajo ka qenë kryeministre e suksesshme në landin e vogël të Zarës, ku drejtoi një koalicion tripartiak. Ajo ka reputacionin se është e aftë të bashkojë pozicione të ndryshme brenda CDU-së dhe një talent për aleanca me parti të tjera.

Friedrich Merz dhe Jens Spahn, dy konkurrentët e uruan fituesen dhe i premtuan bashkëpunim në forumet e partisë.

Modifikuar më Premte, 07 December 2018 18:55
Login to post comments