Kroacia po përballet me probleme serioze, për shkak të valës së refugjatëve. Një prej sfidave më të mëdha është ruajtja e vijës së gjatë të kufirit.
Autoritetet e Kroacisë nuk duan të pranojnë sugjerimet e Komisionit Evropian për ngritjen e kapaciteteve për pranimin e refugjatëve nga Afrika dhe Azia. Autoritetet thonë se Kroacia është e ngarkuar tepër me ruajtjen e kufijve të jashtëm ndaj vendeve lindore, për shkak të gjatësisë së kufirit.
Megjithatë në vend ka mendime të ndryshme, kur dihet se një prej dëshirave më të mëdha të Kroacisë është që të bëhet pjesë e zonës Shengen. Ndërkohë që kontrolli i kufirit dhe parandalimi i kalimeve ilegale është një prej kushteve më të rëndësishme për të dëshmuar këtë gatishmëri. Kroacia po përballet me kritika të mëdha të organizatave joqeveritare, për brutalitetin e policisë ndaj refugjatëve.
Masat mbrojtëse
„Kroacia po përpiqet ta shfrytëzojë këtë gjendje si një stërvitje dhe dëshmi për gatishmërinë e saj, për kontrollin e kufirit të jashtëm të BE, që është një parakusht për të dëshmuar nëse është e gatshme për anëtarësi në zonën Shengen", thotë Drago Zhupariq, sociolog kroat në Zagreb. Ai mendon se mënyra kroate e mbrojtjes së kufirit të jashtëm me të gjitha mjetet, i ngjan metodave të vendeve të Vishegradit.
„Ndonëse ende nuk kemi vendosur tela me gjemba, tri vitet e fundit kemi dëshmuar një militarizim dhe angazhim të forcave të sigurisë në këtë fushë. Dallimi i Kroacisë nga vendet e tjera fqinje qëndron në faktin se ajo ka siguruar mjete edhe për ndërtimin e kapaciteteve për pranimin e refugjatëve si ai në Petrinje, ndonëse këto kapacitete janë të kufizuara", thotë Zhupariq Iljiq për DW.
Zhupariq Iljiq nuk dyshon fare se Kroacia do të përpiqet të balancojë mes sigurisë dhe elementit humanitar, por këtë gjendje mund ta ndryshojë radikalizimi në vend. „Dyshoj se sërish mund të kemi hapjen e ndonjë rruge ballkanike për refugjatë", thotë ai. "Kështjella Evropë" po mbrohet, ndërsa kriza humanitare në Bosnjë-Hercegovinë "paraqet një turp real për tërë Evropën". Megjithatë në terren ka shumë njerëz të rëndomtë që duan të ndihmojnë. Sociologu thotë se refugjatët në këtë mes paraqiten si një dëm kolateral.
Mungesa e politikës së përbashkët në BE
Një problem tjetër për Kroacinë është edhe mungesa e politikës së përbashkët në BE për refugjatët. Kroacia mund të marrë vetëm ata refugjatë, të cilët janë përzgjedhur në kampet e Turqisë dhe vijnë sipas marrëveshjeve me këtë vend. Kroacia ka rënë dakord që të pranojë 1500 refugjatë, por deri tani kanë ardhur vetëm disa dhjetëra. Eurodeputeti kroat Tonino Picula thotë se Kroacia po përballet me problemet e brendshme të BE. "BE nuk po arrin marrëveshje. Më shumë se tre vite kanë kaluar e nuk ka ndonjë politikë të përbashkët", thotë ai për DW.
Kroacia dhe kufiri i humanizmit
Ish-ministri i Jashtëm kroat thotë se edhe vendet që kanë udhëhequr BE në dy mandatet e fundit, Bullgaria dhe Austria, kanë dërguar mesazhe negative, sepse nuk e kanë pranuar marrëveshjen globale për migracionin, të arritur në Marakesh. „Pozita e Kroacisë është delikate, sepse ajo përballet me valët e refugjatëve që vijnë nga Greqia, përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, deri në B-H. Për dallim nga vala e refugjatëve në vitin 2015, kjo valë është shumë më e vogël. Ndërkohë që vendet si Kroacia dhe Sllovenia kanë vënë tela me gjemba në kufi. Ndaj është shumë e mundur që në ndonjë vend jashtë BE të krijohet ndonjë hot spot për refugjatë dhe kjo mund të shtojë tensionet e brendshme."
„Qëndrimi ndaj refugjatëve ka kohë që nuk është vetëm çështje humanitare por edhe politike", thotë Picula. Kjo ka bërë që në shumë vende të shtohet edhe rezistenca ndaj BE dhe eurofobia. Picula thotë se "Kroacia megjithatë nuk duhet të tejkalojë kufijtë e sjelljes korrekte dhe humane ndaj refugjatëve.