Një gjykatë kundër korrupsionit në Pakistan ka dënuar ish-kryeministrin e këtij vendi, Nawaz Sharif me shtatë vjet burgim, nën akuzat për posedim të aseteve përtej burimeve të njohura të të ardhurave.
Gjykata në Islamabad e ka bërë këtë njoftim më 24 dhjetor, teksa e ka shpallur fajtor për vetëm një nga dy rastet, për të cilat është gjykuar.
Sharif në anën tjetër ka mohuar çdo keqbërje.
Ai është dënuar me 10 vjet burgim në muajin korrik për blerje të banesave luksoze në Londër.
Sharif pati apeluar këtë dënim dhe është liruar me kusht në muajin shtator.
Pas vendimit të 24 dhjetorit, gjyqtari ka urdhëruar autoritetet ta dërgojnë Sharifin në burgun Adiala afër Islamabadit, ku ishte burgosur ai fillimisht.
Sharif është larguar vitin e kaluar nga zyra, pasi nuk i është lejuar të udhëheqë për herë të tretë si kryeministër.