Britania e Madhe në një takim të fundit të përfaqësuesve të vendeve të Kuintit (Franca, Gjermania, Italia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe) penguan miratimin e një përfundimi për heqjen e taksës nga Kosova për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.
Mediat beogradase raportojnë se megjithë presionin e madh të BE-së për largimin e taksës, britanikët po veprojnë kundër interesave të Serbisë, transmeton Indeksonline.
Gazeta “Novosti”, duke u thirrur në burime të saja, shkruan se amerikanët, francezet dhe italianët ishin duke bërë gati një plan që Kosova ta heq këtë masë, mirëpo konsensusi nuk u arrit pasi kundër kësaj ideje ishin shprehur përfaqësuesit britanik.
Lidhur me këtë çështje është shprehur presidenti, Aleksandar Vuçiq i cili ka deklaruar se taksat është duke marrë mbështetje nga një vend i fuqishëm evropian si dhe qarqe të caktuara në Shtetet e Bashkuara nga administrata e vjetër.
“Ky nuk është rasti me administratën aktuale amerikane që është absolutisht kundër taksës. Letra e nënshkruar nga Palmer qartësoi se është kundër taksës”, është shprehur ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa doganore 100 për qind e vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina do të mbetet në fuqi për aq kohë sa ai të jetë në postin e kryeministrit.
“Shpresoj më dëgjuat shumë mirë. Po e shihni ku kam ardhur për ta thënë. Sa jam unë kryetar qeverie taksa nuk hiqet”, ka deklaruar Haradinaj gjatë një vizite që i bëri kompleksit memorial në Gllogjan.
Ai ishte këmbëngulës se taksa nuk duhet të hiqet pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Haradinaj ka thënë se duhet të ndalet kushtëzimet për Kosovën.
“Nëse ne fillojmë të bëjmë hapa prapa, njëherë kërkohet të hiqet tarifa, nesër mund ta kërkojnë të hiqet Trepça, të hiqet Ushtria, të hiqet diçka tjetër”, ka thënë Haradinaj.