Sumaiyyah Wakil, e lindur në Britani, ishte 16 vjeç kur u arratis për në Sirinë e përfshirë nga lufta, duke fluturuar fillimisht për në Bullgari dhe pastaj në Turqi, për t'u bashkuar me grupin terrorist, Shteti Islamik, siç njofton korrepondenti i Zërit të Amerikës, Jamie Dettmer.
Kur ishte në kryeqytetin de facto të ISIS-it, Raqqa, sipas dokumenteve britanike, ajo kishte shitur mend që kishte qenë e pranishme në ekzekutimin publik me gurë të një gruaje, duke e quajtur vrasjen "fantastike".
Por tani familja e saj thotë se autoritetet britanike duhet ta riatdhesojnë atë dhe adoleshentë të tjerë britanikë që u bashkuan me grupin ekstremist, kur ajo të rishfaqet - dhe gjasat janë që kjo të ndodhë së shpejti - nga territori që mbahej nën kontroll nga ISIS-i. Prindërit e Wakilit dhe familjet e të rekrutuarve të grupit, thonë se fëmijët e tyre ishin manipuluar nga rekrutuesit xhihadistë dhe ishin shumë të rinj që ta dinin se çfarë po bënin, kur shkuan në Siri.