Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s paralajmëroi të premten se shkelja nga ana e Rusisë e një traktati të rëndësishëm të epokës së Luftës së Ftohtë është një nga sfidat më të ngutshme për aleancën që lidhet me sigurinë.
Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të rikthehet tek zbatimi i traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, që ka shërbyer prej dekadash si gur themeli për kontrollin e armëve.
Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara pezulluan zyrtarisht detyrimet bazuar tek marrëveshja e vitit 1987, që ndalon të gjitha raketat tokësore dhe ato balistike të afta për të përshkuar një distancë nga 500 deri në 5,500 kilometra, duke krijuar terrenin që traktati të përfundojë brenda gjashtë muajve. Rusia, që mohon të ketë kryer ndonjë shkelje, ndoqi të njëjtin shembull.
"NATO nuk dëshiron një luftë të re të ftohtë, ne nuk duam një garë të re armatimesh dhe i bëjmë thirrje Rusisë që të nisë të veprojë në përputhje me traktatin", tha Stoltenberg pas bisedimeve me kryeministrin bullgar Bojko Borisov në Sofje.
“Raketat e reja ruse përmbajnë kapacitete bërthamore. Ato mund të arrijnë qytetet evropiane dhe janë të vështira për t'u interceptuar”, tha zoti Stoltenberg.
Ai shtoi se NATO-ja duhet të përgatitet për një botë pa këtë traktat dhe me më shumë raketa ruse.
Raketat me rreze të mesme veprimi konsiderohen veçanërisht destabilizuese pasi ato kërkojnë një kohë më të shkurtër për të arritur objektivat e tyre në krahasim me raketat balistike ndërkontinentale. Kjo praktikisht u lë pak kohë vendimmarrësve, të bëjnë dallimin mes një konflikti bërthamor botëror dhe një paralajmërimi të rremë.
Presidenti rus Vladimir Putin i bëri një paralajmërim të ashpër SHBA-së kundër vendosjes së raketave të reja në Evropë, duke thënë në fjalimin e tij vjetor për vendin muajin e kaluar se Moska do të hakmerret duke dislokuar armë të reja që kërkojnë pak kohë për të arritur objektivin.