Forcat që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, që luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik në lindje të Sirisë, raportohet se kanë avancuar në zonën e fundit që ekstremistët kanë nën kontroll. Forcat Demokratike Siriane (SDF) thanë sot se kanë avancuar në dy fronte në Baghouz, në provincën Deir el-Zour.
Associated Press raporton se “një forcë aktive tokësore” po avancon në territoret e kontrolluara nga IS-i, ndërsa ekstremistët po sulmojnë me snajperë dhe me mina tokësore.