Dështimet me Brexit dhe rezervat për lidershipin e saj, e kanë kthyer kryeministren Theresa May në një nga figurat më të papëlqyera të konservatorëve anglezë. Shefja e qeverisë e ka pranuar më parë mbështetjen e ulët dhe është zotuar që të largohet nga pushteti sapo të votohet marrëveshja e saj për largimin e vendit nga BE-ja. Ndërkaq shumica dhe opozita vijojnë negociatat për t'i dhënë zgjidhje ngërçit politik.
Kryeministrja Theresa May është një nga figurat konservatore më pak popullore në qeverinë angleze.
Një sondazh i fundit tregon se shumica e anëtarëve të partisë më të madhe qeverisëse në vend kanë një opinion të keq për udhëheqësen e tyre dhe të kabinetit në përgjithësi.
Në muajin prill pëlqimi për shefen e qeverisë zbriti në -73,5 pikë, ose rreth 20 pikë më poshtë se një muaj më parë, bazuar në opinionet e rreth 1,100 anëtarëve të Partisë Konservatore.
Pëlqimi për punën e kabinetit po ashtu është përkeqësuar me gati dy herë nga muaji i kaluar.
Rezultatet mendohet të jenë ndikuar nga dështimet e vazhdueshme të kryeministres May për t'i dhënë zgjidhje çështjes Brexit por edhe nga premtimet e pambajtura rreth datës së shkëputjes nga Bashkimi Europian.
Një ditë më parë, figura të larta konservatore i këshilluan shefes së qeverisë që të heqë dorë nga lidershipi, përndryshe partia e tyre do të ndëshkohet rëndë në zgjedhjet europian të muajit të ardhshëm nëse nuk realizohet procesi Brexit i prezantuar tri vite më parë.
Çështja Brexit, ndërkohë, është rifutur në axhendën politike të partisë qeverisëse dhe asaj laburiste, por palët duken ende larg kompromisit.
Dy liderët politikë, Theresa May dhe Jeremy Corbyn, të martën i lanë mënjanë debatet politike duke u bërë bashkë për t'i dhënë lamtumirën e fundit gazetares Lira McKee , e cila javën e kaluar mbeti e vrarë pas përplasjeve mes disidentëve irlandezë dhe policisë angleze.