Një gjykatëse në Shtetet e Bashkuara dënoi Maria Butinën me 18 muaj në burg, pasi ajo pranoi fajësinë për të vepruarit si agjente e paregjistruar për Qeverinë ruse.
Vendimi, i marrë të premten nga gjykatësja Tanya Chutkan në Gjykatën e Qarkut në Uashington, përkon me masën që kërkuan prokurorët.
Chutkan po ashtu urdhëroi që Butina të dëbohet në Rusi me të përfunduar të dënimit me burgim, në mars të vitit 2020.
Në kohëzgjatje të dënimit i llogaritet koha që ka kaluar tashmë në paraburgim në SHBA.
Raportohet se para dënimit, Butina, 30 vjeçe, i tha gjykatës se i vjen "thellësisht keq" dhe se kërkoi mëshirë.
Chutkan i refuzoi argumentet e avokatëve mbrojtës se Butina ishte e etur për të ndërtuar lidhje me aktivistët politikë në SHBA, veçanërisht ata konservatorë.
Prokurorët thanë se para dhe gjatë studimeve në Universitetin Amerikan në Uashington, Butina ka bërë përpjekje të krijojë lidhje me grupe konservatore në SHBA, në emër të së paku një ligjvënësi të fuqishëm të lidhur me Kremlinin.
Butina e pranoi fajësinë në dhjetor dhe pranoi të bashkëpunonte me hetuesit.
Ajo është mbajtur në paraburgim që nga arrestimi i saj në korrik të vitit të kaluar./Rel