Presidenti i SHBA, Donald Trump, mbërriti në orën 9:00 të mëngjesin e së hënës në Britaninë e Madhe për një vizitë zyrtare shtetërore treditore. “Air Force One” u ul në aeroportin Stansted të Londrës.
Trump do të takohet me anëtarët e familjes mbretërore dhe pritet të diskutojë ndryshimet klimaterike si dhe për kompaninë kineze të të teknologjisë, Huawei, gjatë takimeve me kryeministren në ikje Theresa May.
Protesta janë planifikuar të mbahen në të gjithë Britaninë e Madhe gjatë kësaj vizite, si në Londër, Mançester, Belfast dhe Birmingham.
Ndonëse zoti Trump ka folur me admirim për zonjën May, pritet të ketë kundërshti mendimesh gjatë takimeve të tyre, që fillojnë të martën.
Kryeministrja May do të ngrejë problemet e klimës, sipas një zëdhënësi të qeverisë që përsëriti të hënën se Britania e Madhe është e zhgënjyer nga vendimi i SHBA për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit për Klimën e 2017-ës.
Po ashtu të dy liderët do të diskutojnë për Huawei. SHBA e ka vendosur në listën e zezë, firmën kineze, për çështje sigurie, ndërsa Britania e Madhe mund ta lejojë të mbështesë komponentë “jothelbësorë’ të rrjetit të saj 5G.
Para vizitës, Presidenti amerikan Trump i tha gazetës “Sun” se ai mbështeste liderin e Partisë Konservatore, kandidaturën e Boris Johnson për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe.