Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për një "marrëveshje fenomenale tregtare" me Britaninë ndërsa Londra përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian. Në ditën e dytë të vizitës së tij shtetërore tre ditore në Britani, presidenti foli me kryeministren Theresa May ndërsa në Londër pati ishin grumbulluar protestues.
Presidenti Trump foli me gazetarët në Londër pas bisedimeve me Kryeministren britanike Theresa May.
Zonja May vlerësoi marrëdhëniet mes të dy vendeve, por pranoi disa dallime lidhur me ndryshimet klimatike dhe çështjen e Iranit. Britania ende mbështet marrëveshjen e Parisit për Klimën të cilën presidenti Trump e ka kundërshtuar, dhe ende mbështet marrëveshjen bërthamore të Iranit, nga e cila Shtetet e Bashkuara janë tërhequr.
Ndërsa të dy udhëheqësit folën në një konferencë të përbashkët për shtyp, mijëra protestues kishin dalë në rrugë në të gjithë Londrën.
Demonstruesit mbanin pankarta dhe bënë thirrje kundër presidentit Trump, ndërsa një tullumbace që vinte në lojë presidentin fluturonte aty pranë.
Kur e pyetën rreth protestave, presidenti Trump i hodhi poshtë ato si "lajme të rreme" dhe tha se ai nuk kishte parë ndonjë demonstrim të tillë.
Më parë, në një tryezë të rrumbullakët biznesi, presidenti Trump tha se mendon se Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të arrijnë një "marrëveshje tregtare shumë thelbësore" që do të jetë "shumë e drejtë".
Kryeministrja May tha se Britania dhe Shtetet e Bashkuara mund të zgjerojnë partneritetin e tyre ekonomik me një marrëveshje dypalëshe tregtie dhe se qeveria e saj beson në "mbajtjen e tregjeve të lira, të drejta dhe të hapura".
Presidenti Trump ka ndjekur politikën e marrëveshjeve të reja tregtare me një numër partnerësh tregtarë të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Kinën, me synimin për t’i bërë ato më me përfitim për Shtetet e Bashkuara.
Më vonë gjatë ditës, presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij Melania do të kenë darkë me Princin Charles dhe me gruan e tij, Camilla, dukeshën e Cornwallit.
Presidenti Donald Trump u prit me madhështi dhe shkëlqim në ditën e parë të vizitës së tij në Britani, ku Mbretëresha Elizabeth shtroi një banket mbretëror për të në Pallatin e Buckinghamit. Megjithatë, presidenti Trump hyri në polemika me komentet e tij për Brexitin dhe ato që u perceptuan si fyerje ndaj kryebashkiakut të Londrës, Sadik Khan.
Vizitat shtetërore zakonisht supozohet të jenë me shkëlqim dhe madhështi, por edhe para se të mbërrinte në Pallatin e Buckinghamit, Presidenti Trump hyri në komplikacione diplomatike, duke bërë vërejtje për temën e prekshme të Brexitit, përfshirë dhënien e mbështetjes për Boris Johnson dhe Nigel Farage, duke vënë në siklet kryeministren Theresa May, që po jep dorëheqjen.
Theresa May po largohet nga posti, pasi nuk arriti të negociojë një marrëveshje të Brexitit që parlamenti mund ta ratifikonte. Presidenti Trump i bëri thirrje Britanisë të largohet nga BE pa një marrëveshje, nëse Brukseli refuzon të përmbushë kërkesat e saj.
"Presidenti Trump ka dhënë mbështetjen e tij të përzemërt për Brexitin. Dhe për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Dhe kështu kjo është një çështje e rëndësishme", thotë Nile Gardiner me Qendrën Margaret Thatcher për Liri.
Trump po mbështet Boris Johnson si kryeministrin e ardhshëm të Britanisë.
Britanikët duket se kanë ndjenja të përziera në lidhje me deklarimeve të presidentit Trump.
"Personalisht e shoh Boris Johnsonin si një kukull teatri. Kështu që e kuptoj përse Trumpit i pëlqen dikush si Boris Johnson ", thotë Inigo Ackland.
"Nuk mendoj se është problem që ai komenton për atë që po ndodh dhe ne ndoshta duhet ta mbledhim veten. Por me të vërtetë që nuk shoh problem", thotë Sharon Wells, banore e Londrës
“Ai është ndryshe nga politikanët e tjerë që në përgjithësi pyeten dhe asnjëherë nuk japin një përgjigje”, thotë Dermont Smurfit.
Megjithatë, komentet e presidentit Trump kanë tronditur vizitën e kalibruar me kujdes, duke përfshirë fyerjet e tij ndaj kryebashkiakut të Londrës Sadiq Khan, të cilin ai e quajti "një dështak të dëshpëruar". Khan u përgjigj në një artikull redaksional duke e përshkruar Trumpin si një "kërcënim global".
"Miqësia do të thotë sinqeritet dhe unë mendoj se duhet të jemi të sinqertë me presidentin amerikan dhe të themi se e di mirë nuk pajtohemi me ju në kaq shumë gjëra", tha Sadiq Khan, kryebashkiaku i Londrës.