Kryqëzatë fetare e laike kundër Mateo Salvinit, pse guxoi të puthë rruzaren

E Enjte, 22 August 2019 12:02

Një nga motivet kryesore të sulmeve të ditëve të fundit ndaj ministrit të brendshëm të Italisë Mateo Salvini ka qenë ai i puthjes në publik, në disa raste, të rruzares. Ajo që bën përshtypje është se në sulmet ndaj Salvinit janë përfshirë edhe shumë klerikë të lartë të Vatikanit, kryesisht ata që merren me mediat. Renato Farina, një nga eminencat e gazetarisë italiane, bën një përshkrim të këtyre sulmeve, duke parë në to, edhe një aleancë politike që po synon të nxjerrë Salvinin nga pushteti, për të sjellë në pushtet një aleancë më afër ideve të papa Françeskut. Është një debat që mund t’i interesojë nga afër edhe publikut shqiptar, meqenëse ndryshimet qeveritare në Itali ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm tek 500 mijë bashkëatdhetarët tanë atje, por edhe tek familjet e tyre në Shqipëri.
Ilir Nikolla

***

Ministri i brendshëm Mateo Salvini është vënë nën akuzë në aulën e Senatit pse përdori simbole fetare, por censorët e tij po e harrojnë historinë dhe po e përçmojnë fenë e popullit. Ai po kryqëzohet, bile edhe me bashkëpunimin e disa klerikëve të lartë, afër Papa Françeskut, por Demokracia Kristiane i ka shfrytëzuar boll simbolet fetare, bile edhe për të mbrojtur Italinë nga komunizmi.

Nga Renato Farina
(Libero quotidiano)

Për dy faje kryesore u akuzua Mateo Salvini në procesin e zhvilluar në Pallatin Madama (Senati Italian). E para, se ka pirë mojito në plazh, për më tepër gjokszhveshur. Histori e shëmtuar, por gjithsesi e neglizhueshme. E dyta konsiderohet faj i rëndë, bile po krahasohet me një sakrilegj të vërtetë: ka ngritur lart dhe puthur “simbole fetare”, përpara, bile-bile edhe gjatë të famshmit “parlamentarizim” të krizës.

Hëpërhë, le të merremi me këtë të fundit.
S’është parë kurrë një parlament kaq sipërfaqësor e hipokrit. Me pretekstin e linçimit të rruzare-puthësit, që e kreu aktin në një vend publik, një gjest që dënohet me vdekje në Shtetin Islamik (në Kinë fatkeqësisht nuk dënohet më), aula e Senatit u shndërrua në një institucion të mrekullueshëm biblik, në një strukturë gjigante ekzorcizmi kundër demonit Salvini.
Tamam, shporreni Belzebulin! 
Një pasion fetar gati ikonathyes nga një trupë senatoriale, aq e fiksuar në idenë se Ati Ynë s’hyn në këtë punë, e se duhet të rrijë atje ku i takon, mbi re, saqë vuri në zbatim armën më klerikale që ekziston, anatemimin me bekimin e jezuitëve, të gjithkujt që guxon të puthë në publik kryqin e vogël që varet në një rruzare. Na vjen ta brisim me të madhe edhe ne Ungjillin: racë hipokritësh, fanatikë të dalëboje. Kjo farë gjindjeje e urren me të gjithë forcën e shpirtit Salvinin, se ai s’ka turp të kërkojë bekimin e Zojës për Italinë tonë.
E kanë gozhduar në kopertinë si një Satana dhe e shpërndajnë në të gjitha famullitë, në revistën që keqpërdor një emër të krishterë për të bërë politikë (Famiglia cristiana). Veçse ata heshtën, bile e panë me dashamirësi drapërin dhe çekanin e trukuar si kryq, që kreu i një shteti amerikano-jugor, shumë shpesh i ftuar nga Vatikani (boliviani Morales) guxoi t’ja bënte dhuratë Papës. Francesco, me një pamje të trazuar u detyrua ta pranonte, për arsye shtetërore e të mikpritjes, por asnjëri nga rrethi Bergoglio-an s’e lëvizi as gishtin kundër kësaj sjelljeje. E tani të gjithë, shfaqen të ndërkryer kundër Salvinit. Një pyetje: Sa koka besimtarësh kanë prerë këta drapërinjtë e kuq? Sa kafka të krishterësh janë shtypur nga ai çekan? Ç’dreq dopio-standardi është ky!

Denigrimi i fesë së popullit

Personalisht, unë s’jam nga ata që valvit në ajër imazhet e shenjta, po kush jam unë për ta ndaluar këtë gjë? S’jam unë padroni. Kjo valvitje është një fakt që u jep guxim shumë njerëzve të thjeshtë, zonja në moshë, por edhe jo. Ata njerëz ekzistojnë, nuk janë larva për të cilat do duhet të turpërohemi. Nuk mund të trajtohen siç bëri, fjala vjen, ish-sekretari i ipeshkvijve italianë Nunzio Galantino, sot në krye të financave të Vatikanit, që i stigmatizoi këto zonja që po këndonin rruzaren kundër abortit me frazën “Nuk identifikohem me fytyrat e tyre pa asnjë shprehje”. Njëra prej zonjave më përshpëriti: “kush kujton se është ai, Burt Lancaster”?. 
Bile, edhe vetë Giuseppe Conte, në zenitin e ndërhyrjes së tij senatoriale, në stilin e viteve ‘700, i skuqur nga besimi i popullit lopë (të paditur, shënim i përkth), i briti zëvendësit: “Duhet të shmangim ndërkalljen e simboleve politike me ato fetare. Këto janë episode të pandërgjegjshme që rrezikojnë të fyejnë ndjenjat e besimtarëve dhe të errësojnë parimet e laicitetit, një parim karakteristik i shtetit modern”.
Ky farë gjykimi u shpërnda në mënyrë të menjëhershme në rrjetet sociale nga drejtori i revistës Civiltà Cattolica, jezuiti Antonio Spataro. Le të reflektojmë pak: Civiltà Cattolica (katolik domethënë), një jezuit (pra, i Jezusit) është krejt i ndërgjegjshëm se qendrimi i tij do të rimerret nga rrjeti, radiot, televizionet, agjencitë, gazetat, sepse ai është një autoritet klerikal. E ç’bën ai me tweet-in e tij, thjesht përfshihet në estradën politike të ditës, me rrobën e tij të fesë, duke i dhënë një tjetër goditje Salvinit.
E s’është ai i vetmi. Paraardhësi i tij në revistën Civiltà Cattolica (Qytetërimi katolik), At Bartolomeo Sorge, ka qenë frymëzuesi fetar i grillinit (ndjekës i Beppe Grillo-s së lëvizjes “5 yjet), Nicola Morra, i cili në sallën e Senatit deklaroi se kur Salvini tregon imazhin e të virgjërës Mari nuk u flet besimtarëve, por është një mafioz që i dërgon sinjal vëllazërisë së tij të ‘Ndrangheta-s. Vetëm pak përpara, Sorge kishte shkruar në internet, shprehje që u bë shpejt virale, frazën: “Mafia dhe Salvini drejtojnë njësoj, shfrytëzojnë frikën dhe urrejtjen, duke u hequr të dyja palët si fetarë. Le të fitojmë mbi ta, duke ua çjerrë maskën e rreme të mëshirës”. 
E ç’di ai për Salvinin? Kush është ai për të gjykuar? Cili autoritet e ka autorizuar Sorgen të hiqet si Zot? S’ka asgjë më djallëzore sesa të pretendosh se zotëron sekretet e zemrave të njerëzve.

Leksione nga e shkuara
Disa pyetje censorëve të tanishëm, laikë e fetarë, të Salvinit
Pse u quajt Demokracia Kristiane, zotërinjtë Spataro, Sorge, Conte e Renzi? Për të përballuar komunizmin, iu ndërrua emri Partisë Popullore dhe u zgjodh, pas rrënimit të fashizmit, ky emër tjetër, shumë impenjativ, bile duke i shtuar si mbiemër edhe mburojën kryqtare. S’është logoja e bijave të të virgjërës Mari. Jo, është mburoja kryqtare kundër kryqëzatës, është thirrja e Lepantos, betejës demokratike kundër kërcënimit totalitar. Madona shtegtare ishte vendimtare për suksesin e 1948-s, këndimi i Deo gratias, shoqëruar nga prediktmet e At Lombardit, edhe ai jezuit. 
Kjo ngjarje s’ka qenë para 1 mijë vjetësh. Demokracia Kristiane shfaqte më shumë se të gjithë në publik simbolet e krishtera, por ajo diti të ishte rojtare e laicitetit të shtetit. Imzot Giovan Battista Montini, më pas kardinal e Papë, sot Shenjt, por shenjt ishte edhe atëhere, ishte këshilltar shumë i afërt i Demokracisë Kristiane, por De Gasperi, në llogoren e laicitetit, diti të mos u përkulej dëshirave të Papa Pio XII. Ai pati guximin, përkundër këshillave të Vatikanit, ta rreshtonte Italinë në Aleancën Atlantike. Veçse ai kurrë s’hoqi dorë nga kryqi në skedën zgjedhore, edhe atëhere kur ministrave të tij iu desh t’i bashkoheshin mazhorancës parlamentare dhe referendare dhe të pranonin ligjin për abortin e për divorcin. Papa Paolo VI s’ia mohoi kryqin, edhe pse ai vuajti shumë për ato firma të Tina Anselmit e Giulio Andreotti-t.
Po Lech Walesa? Ai mbante mesha në kantieret “Lenin”, ballëpërballë me shërbimet sekrete komuniste dhe i fliste botës përmes 3 kryqeve gjigante të Gdanskut. Komunistët dhe katokomunistët s’e fshehnin tërbimin kundër tij e kundër Gjon Palit II. E pranoj se janë raste të ndryshme e se vetë Salvini do të shqyhej gazit me krahasimin. Por t’i ngarkosh atij shenjën e anëtarësimit në mafiian e Mesinës, apo ngjashmërinë me ideologjinë e Hitlerit është një shpifje e shpifur.
Nënë Tereza e Kalkutës shpërndante rruzare kudo. E tani, këta duan t’ja shkulin rruzaren Salvinit, për të bërë çfarë? Ndoshta për ta mbytur. Oh, sa do t'i organizonin me qejf një ceremoni të shenjtë varjeje.

69118023_365806651016624_7737584914630967296_o.jpg

Modifikuar më E Enjte, 22 August 2019 20:29
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...