12 kandidatët demokratë për president morën pjesë në një debat shpesh të ndezur të martën në Ohajo. Ata shpesh sulmuan presidentin Doanld Trump, por nuk hezituan të kritikonin ashpër edhe njëri-tjetrin për çështje si kujdesi shëndetësor, pabarazia ekonomike, dhe tërheqja e forcave amerikane nga Siria. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë hollësi nga Uashingtoni:
Në qendër të debatit të së martës ishte hetimi për procesin e shkarkimit të Presidentit Trump dhe përpjekjet e tij për të bindur Ukrainën të hetonte demokratin, Joe Biden.
Zoti Biden e kishte përgjigjen gati.
“Rudy Giuliani, presidenti dhe banditët e tij e kanë provuar tashmë se po gënjejnë hapur. Tani duhet të përqendrohemi tek Donald Trumpi. Ai nuk do që të jem unë kandidati. Ai po më sulmon sepse e di që nëse marr emërimin, do ta mund pa diskutim”.
Të 12 kandidatët në debat e mbështesin procesin e shkarkimit, përfshirë senatoren nga Massachusetts, Elizabeth Warren që tani ka pothuajse të njëjtën mbështetje si zoti Biden në anketa.
“Përmes procesit të shkarkimit, ne do të garantonim që ky njeri të mos shkelte ligjin vazhdimisht dhe pa pasoja”, tha ajo.
Debati shënoi edhe kthimin e senatorit, Bernie Sanders në fushatë pas goditjes në zemër. Ai paralajmëroi për çështjen e procesit të shkarkimit.
“Po mendoj se do të ishte një katastrofë nëse populli amerikan beson se ne vetëm po merremi me Trumpin dhe po lëmë në harresë 87 milionë amerikanët pa sigurime ose me sigurime të pamjaftueshme”, tha ai.
Senatori nga New Jersey, Cory Booker shprehu shqetësimin se votuesit mund ta shohin si shumë partiak, përpjekjen e procesit të shkarkimit.
“E kuptoj indinjatën që e ndjejmë të gjithë, por duhet ta kryejmë këtë proces në mënyrë të tillë që e bashkon vendin dhe jo që ta përçajë”, tha ai.
Në debat pati këmbime të forta për kujdesin shëndetësor, kontrollin e armëve dhe tërheqjen e befasishme të trupave amerikane nga Siria nga ana e Presidentit Trump.
Vendimi u kritikua ashpër nga kandidati, Pete Buttigieg.
“Masakra në Siri, nuk është pasojë e pranisë amerikane. Është pasojë e tërheqjes dhe tradhtia e këtij presidenti ndaj aleatëve amerikanë dhe vlerave amerikane”.
Edhe senatorja nga Minnesota, Amy Klobuchar e kritikoi vendimin e presidentit.
“Do doja të më shpjegonte se si bëhet Amerika më madhështore duke lejuar masakrimin e kurdëve, të aleatëve tanë, dhe kur Rusia hyn për t’i mbrojtur ata. Dhe do doja të më sqaronte sesi afrimi me Vladimir Putinin e bën Amerikën më madhështore. E bën Rusinë madhështore”.
Debati i ardhshëm i demokratëve mbahet më 20 nëntor në Xhorxha.