E premtja u shoqërua sërishme luftime në verilindje të Sirisë megjithë arritjen e një marrëveshje për armëpushim ndërmjetësuar nga SHBA-ja.Por sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë zbatimi i marrëveshjes mbi këtë çështje kërkon kohë.
E pyetur për luftimet në rajon zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham i tha rrjetit televiziv Fox News se delegacioni amerikan shënoi "sukses me arritjen e armëpushimit, por zbatimi i tij kërkon kohë” siç tha ajo. Zonja Grisham shtoi se nuk do të fliste rreth operacioneve në terren.
Një ditë pasi Turqia dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord për të ndalur për pesë ditë ofensivën turke kundër luftëtarëve kurdë të Sirisë,në qytetin e Ceylanpinar-itu dëgjuan shpërthime, të shtëna si dhe u vunë re shtëllunga tymi. Ankaraja i konsideron kurdët sirianë terroristë.
Sipas marrëveshjes kërkohet që luftëtarët kurdë të largohen prej disa pjesëve të Sirisë përgjatë kufirit turk, çka forcon në masë të madhe pozicionin e Turqisë me synimin për t’i dhënë fund konfliktit një javor.
Trupat turke dhe luftëtarët sirianë të mbështetur nga Turqia e nisën ofensivën kundër forcave kurde në veri të Sirisë një javë më parë, pasi Presidenti Donald Trump njoftoi në mënyrë të befasishme tërheqjen e trupave amerikane nga kjo zonë.