Zjarri në veri dhe jug të Kalifornisë ka detyruar largimin nga zona të të paktën 50 mijë personave. Në përpjekje për të penguar përhapjen e zjarrit, mijëra banorëve u është ndërprerë furnizimi me gaz dhe energji elektrike.
Autoritetet thonë se kanë nën kontroll vetëm 5 për qind të zjarrit në distriktit verior të Kalifornisë, Sonoma, vend i njohur për vreshta dhe verëra.
“Aktualisht, zjarri përfshin rreth 6 mijë e 500 hektarë. Kemi vetëm pesë për qind nën kontroll. Kemi të konfirmuar shkatërrimin e 49 objekteve. Vlerësimi i dëmeve vazhdon. Kemi 1 mijë e 300 zjarrëfikës në terren”, tha Shefi i shërbimit të zjarrëfikësve, Mike Parkes.
Sherifi i distriktit Sonoma tha se problem ishte edhe refuzimi i njerëzve për t’u larguar nga zona.
“Duam që njerëzit tu kushtojnë vëmendje paralajmërimeve tona dhe të largohen nga zona. Nëse erërat ndryshojnë, ose nëse ka ndonjë urgjencë, nuk mund t’i evakuojmë njerëzit në minutën e fundit, kur zjarri afrohet”, tha Mark Essick, sherif i distriktit Sonoma të Kalifornisë.
Zjarri filloi mbrëmjen e së mërkurës pranë Geizerëve, fusha më e madhe gjeotermale në botë, ku ka 20 termocentrale me avull.