Ish-prokurorja dhe ish-hetuesja e Kombeve të Bashkuara, Carla del Ponte, ka thënë gjatë një interviste se presidenti turk, Rexhep Erdogan, duhet të ndiqet penalisht dhe të akuzohet për krime lufte gjatë ofensivës ushtarake në Siri.
Del Ponte, e cila dikur ishte anëtare e Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Hetime në Siri, tha se intervenimi i Turqisë në Siri është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe vetëm e ka rindezur konfliktin në Siri.
“Duhet të fillojnë hetimet ndaj Erdoganit dhe ai duhet të akuzohet për krime lufte. Nuk duhet të lejohet që ai të largohet i lirë”, tha Del Ponte gjatë një interviste për gazetën zvicerane, “Schweiz am Wochenende”.
Pavarësisht se aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë kritikuar operacionin turk në Siri, duke u frikësuar se ai do ta dëmtojë luftën kundër ISIS-it, Del Ponte tha se shtetet evropiane kanë ngurruar që ta kundërshtojnë Turqisë lidhur me aksionet e saj pasi Erdogani kërcënoi se do t’ua hap dyert refugjatëve që të shkojnë drejt Evropës.
Del Ponte ishte bërë pjesë e hetimeve për Sirinë në shtator të vitit 2012, dha dorëheqje nga pozita e saj në këtë komision në vitin 2017, duke thënë se mungesa e përkrahjes politike nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ia bëri të pamundur këtë punë, shkruan “Reuters”.