Tridhjetë vjet më parë u rrëzua muri i Berlinit, duke i dhënë fund ndarjes mes lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik. Rënia e murit simbolizon rënien e komunizmit në Evropën Lindore që u vendos në këtë rajon pas Luftës së Dytë Botërore nga Bashkimi Sovjetik. Kjo gjithashtu i hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore. Por, siç njofton nga Berlini korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Scaturro, partitë e djathta në Gjermaninë Lindore po forcohen, duke kërcënuar stabilitetin e vendit.
Kur lufta mbaroi në vitin 1945, Berlini ishte një qytet i shkatërruar.
Dhe më pas në vitin 1961, qyteti u nda me një mur, që u ndërtua për të ndalur ikjen banorëve të Gjermanisë Lindore drejt Gjermanisë Perëndimore.
Sot Muri i Berlinit pothuajse është zhdukur. Pjesët e mbetura të tij shërbejnë si një muze në natyrë.
Miliona njerëz e vizitojnë atë çdo vit.
Në vitet pas rënies së murit, Berlini Lindor eventualisht arriti një ritëm pothuaj të njëjtë zhvillimi me pjesën perëndimore. Këto apartamente të reja u ndërtuan në pjesën që dikur ishte Berlini Lindor.
Kjo rrugë në Berlin njihet si "Damasku i Vogël". Sirianët dhe të ikur të tjerë nga lufta kanë hapur biznese dhe restorante të reja këtu.
Sipërmarrës të tjerë nga e gjithë bota gjithashtu kanë ardhur këtu, duke i dhënë një jetë të re qytetit.
Amerikani Jeremy Minsberg, që drejton një biznes turizmi, është njëri prej tyre.
"Papritmas, turistët filluan të vijnë këtu dhe e kuptuan se ky është një vend vërtetë i lezetshëm. Ata filluan t'u tregojnë të gjithëve për këtë, dhe zhvillimet rreth Brexit-it kanë nxitur shumë biznese që të zhvendosen këtu në Berlin", thotë ai.
Por mbishkrimet në mure pasqyrojnë zhgënjimin e disa banorëve të Berlinit se të ardhurit e rinj kanë kontribuar në rritjen dramatike të çmimeve të qirasë.
"Gjithçka po bëhet e papërballueshme. Berlini po bëhet si San Francisko. Banorët me të ardhura mesatare nuk mund të konkurrojnë me rrogat e sipërmarrësve të huaj. Kjo po krijon një problem social këtu në Berlin", thotë Jeremy Misnberg, pronar i "theberlinexpert.com".
Ekonomia e Berlinit po rritet, por pjesa tjetër e Gjermanisë Lindore nuk ka patur ritëm të njëjtë zhvillimi ekonomik.
Megjithëse një numër qytetesh në Lindje kanë patur një zhvillim të suksesshëm ekonomik, shumica e Gjermanisë Lindore humbi industrinë pas rënies së murit.
Fabrikat e braktisura si këto ishin të zakonshme. Miliona njerëz humbën vendet e punës ose u larguan.
"Rreth 80 për qind e gjermanëve nga Lindja humbën vendet e punës pas rrëzimit të murit dhe ribashkimit të vendit. Shumë njerëz ishin të dëshpëruar për të gjetur diçka të re, një punë të re. Shumë njerëz u larguan", thotë Elena Erdman, gazetare e gazetës "Die Zeit".
Sipas gazetares Erdmann, ekziston një lidhje e fortë midis rritjes së ekstremizmit të krahut të djathtë dhe rënies së ekonomisë në Gjermaninë Lindore pas ribashkimit të vendit.
"Partitë e krahut të djathtë dhe AfD kanë vënë në shënjestër shtetet lindore. Ata kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshëm atje", thotë Elena Erdman, gazetare e gazetës "Die Zeit".
Zyrtarja e Partisë së Gjelbër Jana Brix është e shqetësuar nga rritja e ekstremizmit të krahut të djathtë në vendin e saj.
“Për një demokraci të mirë, për një demokraci funksionale ne kemi nevojë për një numër të madh njerëzish të rritur në frymën demokratike, të cilët mendojnë në mënyrë demokratike. Kam frikë se ne do ta humbim atë. Sigurisht që jam e shqetësuar. Akoma nuk i kam humbur të gjitha shpresat. Ende shpresoj. Por ne nuk mund të veprojmë sikur gjithçka është në rregull."
Tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, të rinjtë si Brix po bëjnë çmos për të ruajtur demokracinë gjermane.
Por siç u demonstrua në një sulm terrorist të ekstremistëve të krahut të djathtë së fundmi kundër një sinagoge në ish-Gjermaninë Lindore, antisemitizmi dhe islamofobia mbeten kërcënime serioze. VOA