Presidenti francez Emmanuel Macron tha se mungesa e udhëheqjes amerikane po shkakton "vdekjen klinike" të NATO-s dhe se Bashkimi Evropian duhet të fillojë të veprojë si një fuqi strategjike botërore.
Zoti Macron i tha revistës The Economist se Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Donald Trump duket se po 'na kthejnë shpinën’, sidomos me tërheqjen e trupave nga Siria verilindore pa paralajmërim.
Presidenti Macron tha se anëtarët evropianë të aleancës 29 vendëshe, ‘duhet të rivlerësojnë realitetin e ri të NATO nën dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara’.
Në intervistë, zoti Macron tha se Presidenti Trump ‘nuk ndan idenë tonë për projektin evropian’. Ai shtoi se Evropa ndodhet në ‘buzë të një gremine’ dhe duhet të fillojë të mendojë si një fuqi gjeopolitike, përndryshe ‘ne nuk do të jemi më në kontroll të fatit tonë’.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të enjten se kjo nuk ishte pikëpamja e saj. "NATO-ja mbetet një gur themeli i sigurisë sonë," tha ajo për gazetarët.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e kundërshtoi këtë karakterizim të aleancës gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin.