Kompanitë e gazit, respektivisht Gazprom e Rusisë, dhe ajo e Ukrainës, Naftogaz, kanë thënë se do të vazhdojnë bisedimet për të arritur një marrëveshje rreth transportit të gazit nga Rusia për në Evropë përmes territorit të Ukrainës.
“Është shumë herët për të diskutuar rreth një opsioni të aprovuar, por jemi duke bërë bisedime konstruktive. Puna vazhdon”, tha drejtori ekzekutiv i Naftogazit, Yuriy Vitrenko.
Pas bisedimeve bilaterale të muajit të kaluar në Vjenë, Vitrenko tha se Ukraina nuk do të pengojë procesin edhe nëse Moska dhe Kievi dështojnë të nënshkruajnë një marrëveshje të re deri në fund të vitit.
Bisedimet në Vjenë erdhën pas takimit të presidentit Volodymyr Zelenskiy me homologun rus Vladimir Putin në Paris më 9 dhjetor. Bisedimet u zhvilluan me ndërmjetësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, nën marrëveshjen për zgjidhjen e konfliktit të vazhdueshëm në lindje të Ukrainës.