Alarmi i BBC: Shteti Islamik po bëhet më i fortë sërish

Hënë, 23 December 2019 09:56

Shteti Islamik po riorganizohet në Irak, dy vjet pasi humbi territorin e fundit në këtë vend. Kështu raporton BBC, duke iu referuar burimeve të inteligjencës kurde dhe perëndimore.

Sipas rrjetit britanik, sulmet e ISIS po bëhen gjithmonë e më të shpeshta dhe më të sofistikuara. Një burim tha se militantët tani janë më të aftë dhe më të rrezikshëm se Al Kaeda.

 “Kanë teknika më të mira, taktika më të mirë dhe shumë më tepër para në dispozicion. Janë në gjendje të blejnë mjete, armë, ushqime dhe pajisje. Teknologjikisht janë shumë mirë. Duket e vështirë që t’i heqësh qafe. Janë si Al Kaeda me steroide”, tha zyrtari kurd.

Sipas zyrtarëve, po lind një tjetër ISIS, që nuk ka për synim të kontrollojë territore të caktuara- por njësoj si Al Kaeda, veprojnë kryesisht në mënyrë të fshehtë.

Tensionet e brendshme në Irak kanë bërë që militantët e ISIS të përfitojnë. Tashmë bëhet fjalë për një rajon të tërë të madh që nuk kontrollohet prej askujt. Ai shërben si vendi më i mirë për ‘rritjen’ e elementëve ekstremistë të ISIS.

Login to post comments