Turqia është goditur nga një numër tërmetesh gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme. Turqia ka përjetuar momente tmerri, gjatë natës së kaluar, teksa është goditur nga rreth 200 lëkundje tërmeti, ku më e forta ishte me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter, e ndjekur nga disa lëkundje të tjera të forta.
Autoriteti i Turqisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se tërmeti i parë ishte 5.6 në shkallën Rihter dhe ndodhi në rrethin Akhisar të provincës Egjean Manisa.
Gjithashtu u regjistruan edhe goditje të tjera. Tre minuta pas tërmetit, qyteti fqinj Kırkağaç u trondit nga një tërmet me magnitudë 4.1, ndërsa 16 minuta pas tronditjes fillestare, Akhisar u trondit përsëri nga një tërmet me magnitudë 3.8.
Sipas deklaratës së autoriteteve, në Ankara pati një tërmet prej 3.8 dhe 4.5 në orët e mëngjesit. Ndërkohë janë publikuar disa pamje që thuhet se tregojnë momentet kur njerëzit në panik, iknin me shpejtësi nga shtëpitë e tyre dhe jo vetëm.
Tërmeti ka lënë edhe persona të plagosur, ku raportohet se katër kanë përfunduar në spital, por fatmirësisht nuk ka viktima. Turqia ndodhet përgjatë një prej zonave më aktive sizmike në botë.