Presidenti amerikan Donald Trump u përpoq përsëri të hënën të qetësonte publikun, duke e thënë se epidemia e koronavirusit nuk do të zgjasë.
Duke folur nga Shtëpia Bardhë me anëtarë të grupit të punës për koronavirusin, zoti Trump tha se administrata e tij po punon për hapat e ardhshëm, për rihapjen e bizneseve dhe aspekte të tjera të shoqërisë, sapo të përcaktojnë ekspertët e shëndetësisë se distanca sociale nuk është më e nevojshme.
“Vendi ynë nuk është i tillë që të paralizohet. Amerika së shpejti do të rihapet”, tha ai.
Presidenti shtoi se kjo do të ndodhë “shumë më herët se tre-katër muaj”, që kanë thënë disa.
Presidenti Trump e bëri këtë parashikim, pavarësisht nga këshillat e zyrtarëve të shëndetësisë, përfshirë ekspertin më me peshë të sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci, që kanë thënë se në Shtetet e Bashkuara pandemia nuk ka arritur ende pikën kulmore.
Zoti Trump përsëriti gjithashtu komentet se është e rëndësishme që të mbrohet komuniteti aziatiko-amerikan në Shtetet e Bashkuara.
Numri i viktimave nga koronavirusi në një ditë të vetme në Shtetet e Bashkuara, ishte të hënën për herë të parë më i lartë se 100, me numrin e përgjithshëm të konfirmuar mbi 500 dhe mbi 43, 600 të infektuar.