Nju Jorku ka më shumë raste të infektuara me koronavirus, sesa secili shtet tjetër jashtë Shteteve të Bashkuara, tregojnë të dhënat e fundit. Ky shtet ka konfirmuar se aktualisht ka mbi 159,937 të infektuar, duke kaluar Spanjën, që ka 153,000 raste dhe Italinë me 143,000 raste.
Kina, vendi ku ka shpërthyer fillimisht virusi vitin e kaluar, ka raportuar për 82,000 raste të infektuara.
Në gjithë Shtetet e Bashkuara është thënë të jenë infektuar 462,000 persona nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, ndërkohë që kanë vdekur gati 16,500 persona.
Në gjithë botën nga kjo sëmundje janë prekur 1.6 milion persona dhe kanë vdekur 95,000 pacientë.
Por ndonëse Nju Jorku udhëheq për nga numri i të infektuarve, numri i vdekjeve në këtë shtet, 7,000 është më i ulët, sesa në Spanjë, 15,5000 dhe Itali 18,000, ndonëse është gati dyfish më i madh krahasuar me Kinën, 3,300.
Nëpër disa fotografi është parë se viktimat janë duke u varrosur nëpër varreza masive në Nju Jork.
Mjeku Anthony Fauci, anëtar kyç i task-forcës për koronavirus në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë për kanalin NBC se shifra përfundimtare e amerikanëve të vdekur nga sëmundja Covid-19, “duket se mund të jetë 60,000”.