Gazetat kryesore të Italisë thanë se Conte do të botojë një dekret, sot ose nesër, duke ndaluar njerëzit të bëjnë shëtitje ose të shkojnë në parqe deri më 3 maj.
Vendimi i raportuar pasoi disa ditë konsultimesh me shkencëtarë të qeverisë dhe udhëheqës rajonalë.
Numri i vdekjeve në Itali nga koronavirusi i ri zyrtarisht ka arritur në 18,227 vetë që nga fundi i shkurtit, më i larti në botë.
Gazeta “Corriere della Serra” tha se Conte do të përkulet ndaj presionit në rritje dhe do të lejojë që një numër i vogël i bizneseve të rihapen kur kufizimet ekzistuese të mbarojnë më 13 Prill. Këto përfshijnë librari, si dhe kompani të lëndëve të para dhe fabrika që prodhojnë makineri bujqësore. Qeveria dhe shkencëtarët raportohet se i shohin këto si biznese me ndërveprimin më të vogël njerëzor.
Do të përfaqësojnë “një hapje të vogël, të kujdesshme, simbolike”, shkroi “Corriere della Serra”.
“Nuk kemi kushtet për të rifilluar gjërat tani”, u raportua të ketë thënë Conte në takimin me udhëheqës të sindikatave dhe biznesit, gjatë një video-konference private të enjten.
Vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë janë lejuar të operojnë që prej 12 marsit.
Një studim nga lobi i bizneseve të vogla, “Confcooperative” tha se mbylljet kanë lënë pushim më shumë se gjysmën e 1,3 milionë punëtorëve të ndërtimit dhe më shumë se një të tretën e 11,4 milionë punonjësve të sektorit të shërbimeve.
Shkencëtarët e qeverisë gjithashtu kanë bërë presion që ndalimi i tubimeve publike të zgjatet sa më gjatë që të jetë e mundur si një masë paraprake sigurie.
Raportohet se Conte ishte gati të linte italianët të dilnin lirshëm shtëpitë e tyre për herë të parë në gati dy muaj, më 4 maj.
“Nëse shkencëtarët e konfirmojnë këtë, ne mund të fillojmë të qetësojmë disa masa tashmë deri në fund të këtij muaji”, konfirmoi Conte në BBC.