Të Shtunën e madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Kisha rri pranë varrit të Jezu Krishtit, duke medituar mundimet dhe vdekjen e Tij. E Shtuna e Madhe, dita e tretë e Treditëshit e Nata e Shenjtë e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit, njoftoi Radio Vatikani dhe jep shpjegimin e rëndësisë së kësaj dite dhe të simboleve të saj për besimtarët e krishterë katolikë.
E Shtuna e Madhe e Pashkëve është dita e varrimit dhe e heshtjes. Mirëpo në barkun e tokës ruhet e rritet porsi fara, fidanishtja e jetës së re. Në këtë Natë të Shenjtë, në të cilën Jezu Krishti, Zoti ynë kaloj nga vdekja në jetë, Kisha, e përhapur kudo në botë, i thërret bijtë e vet të rrinë zgjuar në uratë. Në këtë Natë të Shenjtë, e rijetojmë Pashkën e Zotit përmes dëgjimit të Fjalës Hyjnore dhe pjesëmarrjes në Sakramente;
Krishti i Ngjallur e përforcon në ne shpresën e pjesëmarrjes tonë në fitoren e Tij mbi vdekje e na ofron mundësinë të jetojmë me Të në Hyjin Atë.
Kremtimi i Natës së Ngjalljes së Jezu Krishtit është zemra e thelbi i krishterimit, është qendra e kulmi i tërë vitit liturgjik kishtar. Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit.
Pra, në këtë ditë të Shtune të Pashkëve, Kisha nuk kremton Eukaristinë – Meshën e Shenjtë. Altari, pika qendrore, në të gjitha Kishat, në këtë ditë është i zveshur në shenjë zie e përkujtimi të mundimit e vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit. Vetëm pas Vigjiljes kremtore – pas kësaj nate të pagjumë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve, fillon gëzimi i Ngjalljes së Krishtit, fillon koha e Pashkëve e cila zgjat për 50 ditë, deri në festën e Rrëshajëve – Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot.
Sonte është Nata e Ngjalljes së Krishtit. Nata më e bukur, Nata më e Shenjtë, pika kulmore e tërë vitit kishtar, thelbi i tërë fesë sonë të krishterë. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve, gjithçka përkon, gjithçka kondensohet dhe merr kuptim të ri në Dritën e saj shpëtimprurëse. Është një ritual, ai i liturgjisë së shenjtë, i ngarkuar me simbole, një “memorial” – “kujtesë” reale dhe e mistershme e tërë historisë dramatike të shpëtimit të njerëzimit, që realizoi Jezusi. Zoti i prini popullit të zgjedhur gjatë historisë së tij të vështirës deri në tokën e premtuar, deri në çlirimin e tij përfundimtar, që është çlirimi nga mëkati e nga vdekja e amshuar. Pashkët, që do të thonë kalim, tregojnë pikërisht kalimin e njerëzimit nga errësira në dritën e Zotit; kalimin nga mëkati në falje; nga urrejtja në dashuri; nga vdekja në jetë.
Thamë se Nata e Pashkëve është përplot me SIMBOLE.
Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve kemi bekimin e dy elementeve të rëndësishme kozmike: zjarri i ri dhe uji, simbole që kanë një domethënie të madhe biblike, që tejkalojnë kufijtë e historisë e të kohës. Një tjetër simbol, është QIRIU i madh, i bardhë që ndizet nga zjarri i ri që bekohet në fillim të liturgjisë hyjnore të kësaj Nate të Pashkëve.
Është Qiriu që përfaqëson e simbolizon fitoren e Dritës së Krishtit të Ngjallur mbi errësirën e vdekjes, Dritë që ndodhet midis historisë së vjetër e historisë së re të njerëzimit, është Alfa e fillimeve metakozmike dhe Omega e metahistorisë, simbole të Fjalës së Hyjit që është para të gjitha kohërave dhe që i mbyll të gjitha kohërat, ndërsa data e vitit, e gdhendur në Qiri të Pashkëve, 2015, na tregon se Jezu Krishti rrënjoset thellë në historinë e përditshme, në historinë tonë të sotme, krah për krah me njeriun, për të fituar mbi errësirën e mëkatit, të vdekjes, të pakuptimit, të dhunës, të egoizmit, të asgjësë që josh çdo krijesë, të akullsisë së shpirtit.
Sipas ritit të liturgjisë së Dritës të Natës së Pashkëve, Qiriu i Krishtit të Gjall, zhytet në ujë të bekuar për të simbolizuar frytet e begatshme të Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të krijojë bijë të tjerë të Hyjit me anë të Pagëzimit, Sakramentit të rilindjes sonë shpirtërore. Diakoni, duke marrë Qiriun e madh në dorë, simbol i Dritës ë Ngjalljes së Krishtit, gjithnjë sipas ritit të liturgjisë së kësaj Nate të Pashkëve, përshkon Kishën të zhytur në errësirë dhe me zë të madh i kumton asamblesë së besimtarëve të pranishëm Ngadhënjimin e Jezu Krishtit mbi vdekje. Është momenti kulmor i lajmërimit të Ngjalljes së Krishtit. Kështu, Kisha na fton t’i dëgjojmë fjalët që lajmërojnë fitoren e Krishtit të Gjall mbi vdekje, që kumtohen në çdo Kishë për të gjithë.
Kremtimi i Natës së Pashkëve vijon me liturgjinë e Fjalës së Hyjit. Dymbëdhjetë lexime bible nga Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re si një afresk gjigant i “historive të mëdha të familjes”, që nga tregimet e krijimit, nga tregimet e ndrojtura të fillesës deri në vizionet e profetëve dhe në thirrjet e Shën Palit për t’u bërë “njerëz të rinj”.
Pastaj, festa e madhe në tryezën e lulëzuar për të komunikuar me Qengjin e Pashkëve, me Krishtin e vdekur e të ngjallur për ne, që shkëlqen mbi errësirat e mbi vetmitë shkatërrimtare dhe i jep kuptim, shije, shpirt e perspektivë ultrahistorike ngjarjeve dhe jetës njerëzore. Të kuptosh këto simbole, të jetosh realitetin e tyre do të thotë të hysh në më të madhin e mistereve me të cilat është mbështjell njeriu, do të thotë të kalosh “pyllin e simboleve” për të dalë në një kopsht në të cilin një gur i hequr mënjanë le të shihet një varr bosh: janë Pashkët e njeriut e të kozmosit.
Ky është kumti që informon për ngjarjen më të madhe të njerëzimit: çlirimin e tij nga mëkati dhe vdekja e përjetshme. Shpallja e lajmit të gëzueshëm të Pashkëve që kumtohen në Vigjiljen e Pashkëve, kremtim që pasqyron historinë e Zotit me popullin e zgjedhur, me tërë popujt e botës, me ne, që në Ngjalljen e Krishtit kanë (kemi) fituar Jetën e Pasosur. Në këtë lajm të gëzueshëm të Ngjalljes së Krishtit, gjejmë domethënien e vërtetë të Pashkëve dhe të jetës sonë njerëzore./RADIO VATIKANI