Pandemia koronavirus nuk ka ndaluar qytetarët izraelitë në Tel Aviv që të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Të pajisur me maska mbrojtëse, me flamuj të zinj në duar dhe duke mbajtur distancë prej dy metrash nga njëri-tjetri, mijëra vetë morën pjesë në një demonstratë kundër kryeministrit, Benjamin Netanjahu.
Ai është nën akt-akuzë penale për tre raste korrupsioni, por mohon të ketë bërë diçka në kundërshtim me ligjin. Aktualisht po negocion një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me rivalin e tij politik Benny Gantz për të formuar një qeveri koalicioni që do t’i jepte fund ngërçit politik që ka mbërthyer Izraelin, vend i cili mbajti 3 zgjedhje parlamentare në një vit.
doktoresha bukuroshe tregon për situatën në spitale
Nën moton “Shpëto Demokracinë”, protestuesit i kërkuan partisë Bardh dhe Blu të Gantz, që të mos bëhet pjesë e një koalicioni të drejtuar nga një kryeministër i akuzuar për korrupsion
“Po luftojmë për gjithçka dhe për çdo gjë që është thelbësore për të ardhmen e këtij vendi dhe fëmijët tanë, demokracinë izraelite dhe mënyrën se si kjo qeveri në ngadalësinë e saj po merret me krizën e koronës”, u shpreh opozitari Yair Lapid.
Izraeli nuk ka një bilanc shumë të lartë të prekurish dhe viktimash nga Covid-19, megjithatë ka vendosur një izolim të pjesshëm duke detyruar qytetarë të shumtë të qëndrojnë në shtëpi. Për shkak të rritjes së nivelit të papunësisë në 26%, qeveria do të nisë lehtësim gradual të masave kufizuese këtë javë.