Mbi 51 mijë të vdekur nga Covid-19 në SHBA/Fillon lehtësimi i masave kufizuese në disa shtete.

Saturday, 25 Prill 2020 08:16

Ndërsa numri i viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara kaloi 51 mijë dhe pothuajse një në çdo gjashtë punonjës kanë humbur vendin e punës, Xhorxhia, Oklahoma dhe disa shtete të tjera amerikane filluan të premten të ndërmarrin hapat e parë për rihapjen e bizneseve.

Disa biznese hodhën hapat e parë drejt rihapjes në Xhorxhia të premten, pasi guvernatori republikan i këtij shteti lehtësoi masat kufizuese një-mujore pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve për mundësinë e një rritjeje të re të infeksioneve me koronavirus dhe një kundërshtimi të fuqishëm nga Presidenti Donald Trump.

 

Ndërsa disa klientë filluan të riktheheshin në këto biznese, numri i konfirmuar i vdekjeve nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara arriti në mbi 51,000, sipas një raporti të përpiluar nga Universiteti John Hopkins, dhe të dhënave të qeverisë. Numri real i vdekjeve besohet të jetë shumë më i lartë.

 

Edhe pse me një shtrirje të kufizuar, rihapjet në Xhorxhia dhe të paktën dy shtete të tjera shënuan një fazë simbolike në debatin e ndezur në Shtetet e Bashkuara, dhe në botë, mbi atë se sa shpejt udhëheqësit politikë duhet të lehtësojnë masat kufizuese që kanë dëmtuar rëndë ekonominë.

Duke marrë parasysh numrin në rritje të rasteve të infektimit me koronavirus dhe vdekjeve nga kjo sëmundje në Xhorxhia, shumë sipërmarrës kanë vendosur të vazhdojnë t’i mbajnë të mbyllura bizneset e tyre. Guvernatori Brian Kemp i ka siguruar bizneset se është nivelizuar mjaftueshëm numri i vizitave në spitale dhe ai i rasteve të reja me Covid-19, kështu që berberët, artistët e tatuazheve, terapistët dhe trajnerët personal mund të kthehen në punë me disa kufizime.

David Huynh kishte 60 klientë që kishin rezervuar një vend për të premten në sallonin e tij të thonjve në Savanah. Ai tha se kjo është më pak se gjysma e klientëve që ai normalisht ka në ditë. Por ai po fillon gjithashtu me më pak punonjës për të lejuar stacione pune bosh midis tyre.

Biznesi i zoti Huynh, Envy Nail Bar, është mbyllur që nga 26 marsi. Por humbjet nga mbyllja një mujore do të jenë me pasoja më të gjata.
“Ne humbëm diplomimet, promovimet dhe biznesin nga dasmat,” tha Huynh. “Tashmë kam parë që disa dyqane po mbyllen përgjithmonë… Shumë njerëz nuk e kuptojnë se nëse vendi vazhdon të jetë i mbyllur më gjatë, do të ketë pasoja të rënda.”

Urdhri i guvernatorit Kemp që lejon disa biznese të rihapen të Premten kërkon masa paraprake siç janë kontrollimi i klientëve për simptoma të mundshme, sigurimi i personelit me maska dhe mjete të tjera mbrojtëse dhe pastrimet e shpeshta.

Guvernatori i Xhorxhias ka thënë se është e domosdoshme që të nis lehtësimi i masave që kanë goditur rëndë ekonominë. Departamenti i Punës i shtetit të Xhorxhias njoftoi të enjten se 1,1 milion njerëz, rreth një e pesta e fuqisë punëtore të shtetit, kanë aplikuar për të marrë përfitimet e papunësisë që nga fillimi i krizës.

Ekspertët e shëndetit publik kanë paralajmëruar se rihapja shumë shpejt mund të shkaktojë një rritje të re të numrit të rasteve të koronavirusit. Për parandalimin e një rritjeje të mundshme të rasteve duhet të rritet niveli i testimeve dhe i gjurmimit i kontakteve të të infektuarve me njerëz të tjerë. Xhorxhia renditet e dhjeta në vend për nga numri i testeve për banor. Të enjten shteti i Xhorxhias raportoi 7,000 teste të reja të koronavirusit, shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.

Modifikuar më Saturday, 25 Prill 2020 08:27
Login to post comments