Kreu i PPE-së dhe ish-Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk i konsideron zgjedhjet presidenciale në Poloni të planifikuara për 10 maj si antikushtetuese.
Nga Deutsche Welle
Në një video-mesazh Donald Tusk, drejtuesi i Partisë Popullore Evropiane (EPP), përpiqet ta shmangë fjalën "zgjedhje", sepse ato që qeveria po planifikon nuk janë për të zgjedhje. Ai tha se e e kishte analizuar gjatë situatën e përgatitur nga qeveria për 10 maj dhe kishte vendosur ta bojkotonte. "Këto nuk janë zgjedhje kushtetuese, sepse nuk do të jenë as të lira as të barabarta", tha politikani. Ndryshimet në ligjin zgjedhor të bëra pak para zgjedhjeve janë sipas tij jokushtetuese.
Kundër zgjedhjeve më 10 maj protestuan të martën (28.05) edhe 425 profesorë të drejtësisë nga universitetet dhe kolegjet polake. Ata i bënë thirrje qeverisë "të mos mbajë zgjedhje jokushtetuese". Argumenti më i rëndësishëm që sjellin ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe Tusk është se nuk mund të garantohet fshehtësia e votimit, sepse zgjedhjet do të organizohen vetëm me rrugë postare dhe se dokumentet e votimit do të përmbajnë edhe të dhënat personale të votuesve.
Zgjedhje me çdo kusht
Pavarësisht protestave dhe masave kufizuese për shkak të pandemisë Covid-19, partia konservatore në pushtet PiS do t'i përmbahet datës së zgjedhjeve, sepse kandidati i PiS dhe Presidenti aktual Andrzej Duda është favorit i qartë. Në fund të marsit, PiS arriti të marrë votat dhomës së parë të parlamentit për mundësinë e votimit vetëm me rrugë postare pa marrë parasysh afatet ligjore.
Ekspertët konstitucionalistët e shohin këtë si një shkelje të kushtetutës sepse, në bazë të ligjeve aktuale ndryshimi i së ligjit të votimit nuk mund të bëhet më vonë se 60 ditë para zgjedhjeve të planifikuara. Argumenti i qeverisë së drejtuar nga PiS është se votimi me postë zvogëlon rrezikun e infeksionit. Interesant është fakti se dy vjet më parë, PiS e hoqi mundësinë e votimit me rrugë postare me argumentin se rreziku i falsifikimit ishte shumë i madh.
Kritikë nga OSBE-ja
Në një raport të botuar të hënën (27.04) nga OSBE-ODHIR theksohet se votimi me rrugë postare "mund të dëmtojë themelet e rëndësishme të zgjedhjeve demokratike". Organizimi afatshkurtër i një votimi përmes postës nënkupton që kompetencat e komisionit shtetëror të zgjedhjeve t'i transferohen qeverisë. Dhe qeveria nuk ka përvojë me organizimin e zgjedhjeve. Kjo gjithashtu çon në vënien në dyshim të "pavarësisë së komisionit zgjedhor” gjë që është "në kundërshtim me praktikën e mirë zgjedhore".
Malgorzata Kidawa-Blonska, kandidate për presidente e koalicionit më të madh të partive opozitare, i quan planet e PiS për të organizuar zgjedhjet në mes të pandemisë " çmenduri" dhe "një farsë që synon të legjitimojë planin e Jaroslaw Kaczynskit". Këto "nuk janë zgjedhje, por shërbim postar" tha ajo duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në to. Donald Tusk shpreson se për shkak të rezistencës masive nga shoqëria situata do të ndryshojë dhe PiS mund të heqë dorë prej votimit në momentin e fundit.