Kyeministri italian, Giuseppe Conte, ka nisur një mesazh shpresëdhënës, teksa ky shtet ka kaluar në fazën e fundit të lehtësimit të masave të izolimit, të vëna me qëllim të luftimit të koronavirusit.
“Ne e meritojmë të buzëqeshim, të gëzohemi, pas disa javëve të sakrificës së madhe”, ka thënë ai të mërkurën.
Ai ka shtuar se tani është koha që ky shtet të nisë së zbatuari reformat ekonomike.
Me më shumë se 33,600 persona të vdekur dhe gati 234,000 raste të të infektuarve me koronavirus, Italia është kthyer në një prej shteteve të prekura më së keqi nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.
Vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë regjistruar numër më të madh të viktimave.
Komentet e Contes kanë ardhur në ditën e njëjtë që ky shtet ka hyrë në fazën e fundit të lehtësimit të masave të kufizimit, duke bërë të mundur udhëtimin e brendshëm brenda rajoneve dhe hapjen e kufijve ndërkombëtarë.
“Kjo krizë duhet të jetë mundësi për të tejkaluar problemet strukturale dhe ridizajnimin e shtetit”, ka thënë Conte.
“Neve na duhet të merremi me emergjencën ekonomike dhe atë shoqërore”.
Kryeministri italian ka thënë se qeveria e tij është duke punuar për të përshpejtuar kryerjen e pagesave sociale, derisa është zotuar për “reforma serioze të taksave”.
Megjithatë, ai ka vazhduar të bëjë thirrje për kujdes në kohën e pandemisë, duke theksuar se “masa më efektive kundër virusit është distanca fizike dhe përdorimi, nëse ka nevojë, i maskës”.
Në prag të lehtësimit të masave, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, po ashtu ka paralajmëruar se kërcënimi që përbën koronavirusi, nuk ka kaluar ende.
“Kriza nuk ka kaluar, institucionet dhe qytetarët do të duhet të përballen ende me pasoja dhe trauma”, ka deklaruar ai.