Kina ka deklaruar se çdo ndalim hyrjeje në SHBA për anëtarët e Partisë Komuniste do të ishte ‘patetik’, në acarimin më të fundit në marrëdhëniet e tensionuara midis tyre.
Më herët, The New York Times kishte raportuar se qeveria e Trumpit ishte duke e shqyrtuar lëvizjen, megjithatë është ende projekt dhe mund të hidhet poshtë.
PKK ka 92 milionë anëtarë dhe mbetet e paqartë se si mund të funksionojë pengesa për të hyrë në Amerikë.
Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë ndrydhur jashtë mase për një rang të gjerë arsyesh.
Këtë javë, SHBA hoqi statusin e tregtisë preferenciale me Hong Kongun, pasi Kina vendosi një ligj të ri sigurie për territorin.
Presidenti Donald Trump ka kritikuar Kinën edhe për menaxhimin e pandemisë së coronavirusit, si dhe ekspansionin ushtarak në Detin e Kinës Jugore, trajtimin e pakicave myslimane dhe suficitin e madh tregtar.
Artikulli në Neë York Times citon katër persona ‘që kanë dijeni për diskutimet’.
Ligji i ri do të ndalonte anëtarët e PKK dhe familjarët e tyre të vizitonin SHBA e ndoshta do të dëbonte disa syresh që gjenden ndërkohë në Amerikë, sipas gazetës.
Ligji mund të prekë edhe zyrtarë të ndërmarrjeve shtetërore dhe të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, ndonëse shumica e këtyre do të ishin edhe anëtarë partie.
Times shkruan se plani nuk është finalizuar dhe presidenti mund ta hedhë poshtë. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit refuzuan të bënin komente. Artikulli vë në dukje se SHBA nuk ka të dhëna për anëtarësinë e PKK, çka e vështirëson zbatimin e ligjit, dhe se, ndonëse tre milion kinezë vizituan SHBA vitin e kaluar, numrat kanë avulluar për shkak të coronavirusit.
Aktualisht, SHBA u ndalon hyrjen në territor shtetasve të huaj që kanë vizituar Kinën në 14 ditët e fundit, me disa përjashtime të veçanta.
Zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Kinës, Hua Chunying, tha se ‘nëse është e vërtetë, mendoj se është vërtet për të ardhur keq’.
‘E dimë që disa në SHBA i bëjnë presion Kinës dhe e nëpërkëmbin. Si shtet sovran i pavarur, Kina duhet t’u përgjigjet praktikave të nëpërkëmbjes dhe duhet të themi jo, duhet... të marrim masa reagues’, shtoi ajo.