Eksperti kryesor i qeverisë për sëmundjet infektive Anthony Fauci dëshmon të premten përpara një komisioni të posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve që po kryen hetime lidhur me mënyrën se si është trajtuar pandemia e koronavirusit në vend.
Dëshmia e tij vjen në një kohë kur situata është përkeqsuar dhe vendi është ngërthyer nga pasiguria. Zoti Fauci do të dëshmojë së bashku me kreun e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve doktor Robert Redfield dhe admiralin Brett Giroir, zyrtar i Shërbimeve Shëndetësore e Humanre dhe i ngarkuari me çështjet e testimit.
Komisioni është i ndarë në qëndrime mbi mënyrën e rihapjes së shkollave e bizneseve, duke pasqyruar ndarjet që ekzistojnë mes amerikanëve. Një rritje e rasteve në jug dhe perëndim të vendit i ka shuar shpresat për një kthim të shpejtë në normalitet. Në disa shtete vazhdojnë të raportohen probleme që lidhen me mungesen e testeve apo kohën e gjatë për të marrë përgjigje.
Ditët e fundit zoti Fauci tha se amerikanët nuk mund të rrinë pa u shqetësuar lidhur me situatën që ka krijuar COVID-19 dhe se duhet të dyfishojnë masat themelore siç janë vendosja e maskave në publik, ruatja e distancës fizike, shmangia turmave dhe hapësirave të mbyllura.
Këmbëngulja e zotit Fauci ka nxitur zemërimin e disa prej mbështetësve të Presidentit Donald Trump që kanë bërë thirrje për largimin e tij nga detyra. Në një intervistë për agjencinë “Associated Press” në fillim të kësaj jave, zoti Fauci tha se ai ishte "shqetësuar" nga opozita e fortë në disa pjesë të vendit për të vendosur maska si një masë mbrojtëse për shëndetit publik. Që nga fillimi i pandemisë rreth 4.5 milionë amerikanë janë infektuar nga koronavirusi dhe më shumë se 152 mijë kanë vdekur.