Lëndët plasëse që shpërthyen në një depo në Bejrut, duke shkaktuar së paku 100 viktima, janë dërguar atje vite më parë nga një anije mallrash, që ishte konfiskuar, dhe e cila ishte në pronësi të biznesmenit rus, Igor Grechushkin. Ai është një biznesmen nga qyteti siberian i Khabarovsk, por aktualisht jeton në Qipro.
Ministri i Brendshëm i Libanit, Mohamed Fahmi, i tha një stacioni televiziv lokal se incidenti që vrau më shumë se 100 njerëz dhe plagosi mijëra të tjerë, u shkaktua nga shpërthimi i më shumë se 2,700 ton nitrat amoni
Fahmi tha se kimikatet ishin ruajtur në depo, pasi ishin konfiskuar nga një anije mallrash më 2014. Materiali ishte ruajtur pa masa sigurie. Anija “MV Rhosus” ishte konfiskuar nga autoritetet libaneze, me urdhër nga inspektorët lokalë në Bejrut, pasi ajo kishte hyrë në port, për shkak të problemeve teknike.
Associated Press ka raportuar se MV Rhosus po transportonte nitrat amoniumi nga porti i Gjeorgjisë në Detin e Zi në Mozambik dhe rrugës kishte pasur probleme teknike që e detyruan atë të ndalet në Bejrut, raporton abcnews.al
Raportimet e mediave në Rusi dhe Moldavi më 5 gusht thanë se MV Rhosus mbante flamurin e Moldavisë kur mbërriti në Bejrut.
Shumica e ekuipazhit u largua dhe pronarët e braktisën atë. Ngarkesa e rrezikshme u shkarkua në hangarin 12 të portit.
Zyrtarët e doganave dërguan të paktën pesë letra duke kërkuar që lënda e rrezikshme të hiqej nga aty.
Ata nuk morën përgjigje për të paktën tre vite dhe lënda mbeti aty deri një ditë më parë, kur gjatë një momenti saldimi, mendohet se ka shpërthyer flaka që ka provokuar ndezjen e lëndës së rrezikshme.