Nga Steven A. Cook
Çfarë pamje ka një shtet kur bie në kolaps? Është një pyetje që analistët e bëjnë gjithnjë e më shpesh për Lindjen e Mesme, ku pesë shtete aktualisht janë në një farë krize ekzistenciale. Megjithatë, njëri prej këtyre shteteve qëndron veçmas. Jemeni, Siria, Iraku dhe Libia kohët e fundit janë përballur me kryengritje, luftë civile, ndërhyrje të jashtme dhe përplasje mes përfaqësuesve rajonalë. Për kontrast, kriza e Libanit është e vetënxitur dhe dhe kjo e bën atë shumë më të pashpresë.
Është e vërtetë që Libani nuk ka sovranitet të plotë dhe është arenë e konkurrencës izraelito-iraniane dhe saudite-iraniane, por këto nuk janë tamam shkaku i problemeve që vendi ka tani. Ajo që po ndodh në Liban është spiralja e vdekjeve e një rendi të pasluftës civile. Askush – aq më pak vetë libanezët – nuk e di se çfarë do të vijë pas kësaj.
Për ata që nuk kanë shumë informacion, historia është kjo shkurtimisht: Vite mosfunksionimi dhe korrupsioni u finalizuan me një klasë politike, e cila e ka në proces falimentimin e vendit. Shenjat e para të kësaj u shfaqën në fillim të vitit 2019 kur Banque du Liban, banka qendrore e Libanit — urdhëroi që transferimet e parave nga jashtë të kryera përmes institucioneve jobankare siç është Western Union, të bëhen në lira edhe nëse transferta tregonte se transaksioni do të bëhej në dollarë. Në javët dhe muajt që pasuan, kërkesa për dollarë u rrit, por për të ruajtur iluzionin e stabilitetit të monedhës, autoritetet e bankës qendrore libaneze ruajtën një kurs këmbimi të monedhës vendase prej 1.507 lira kundrejt dollarit. Më pas situatën e dominoi ligji i kërkesës dhe ofertës, çka rezultoi në një treg të zi dollari dhe përkeqësim të mëtejshëm të vlerës së lirës. Fitch Rating në atë kohë e uli vlerësimin për kreditë e Libanit nga B- në CCC, i cili është një tregues që të paktën për standardet e Fitch, tregonte se Libani rrezikonte të mos paguante.
Në shtator 2019, Jammal Trust Bank u likuidua pasi u godit nga sanksionet amerikane për marrëdhëniet e saj me Hezbollahun. Kjo bankë nuk kishte peshë shumë të madhe, por mbyllja e saj dëmtoi më tej besimin në sektorin e shërbimeve financiare. Disa javë më vonë, qeveria njoftoi një taksë ditore 20 për qind për thirrjet në WhatsApp. Kjo përpjekje e dëshpëruar për të mbledhur të ardhura çoi në protesta që vazhduan gjatë gjithë vjeshtës dhe dimrit të kaluar. Por qeveria nuk pati asnjë përgjigje.
Që atëherë, panorama e plotë e problemeve ekonomike të Libanit ka dalë në dritë. Libani nuk prodhon shumë; vendi importon 80 për qind të asaj që i nevojitet, përfshirë ushqime dhe karburant. Ekonomia e tij bazohet në pasuritë e paluajtshme, bankat dhe dërgesat nga diaspora libaneze. Bankat kanë ofruar norma të larta interesi për të tërhequr depozita në dollarë, të cilat bankierët atëherë ia huazuan qeverisë. Kjo nuk ishte një mënyrë e shkëlqyer për të drejtuar një sistem financiar, por funksionoi për aq kohë sa fluksi i dollarit vazhdoi. Megjithatë, kur prurjet ranë dhe qeveria – pa të ardhura – nuk mund t’u paguante bankave, sistemi ra. Në mars, ajo që kishte parashikuar Fitch rezultoi e saktë.
Lira ka humbur 85 për qind të vlerës së saj, një vështirësi e konsiderueshme kjo për njerëzit në çfarëdo rrethane, por është një situatë që sa vjen e përkeqësohet për shkak të pandemisë së koronavirusit. Njësoj si pjesa tjetër e botës, Libani u mbyll në përpjekje për të shkëputur zinxhirin e transmetimit të infeksionit dhe për të shpëtuar jetën e njerëzve. Megjithatë, vendi nuk ka bërë shumë në rrugën e një rrjeti të sigurimeve shoqërore, dhe radhët në rritje të të papunëve tani po përballen me shtypjen e inflacionit. Kjo është një situatë të cilës nuk i shpëton askush, përveç të pasurve. Rënia e Libanit është përshpejtuar që nga protestat e tetorit 2019. Tani ai ka më shumë se gjysmën e popullsisë në varfëri ose nën nivelin e saj. Nuk është për t’u habitur, pasiguria us është në rritje, shkëmbimi mall me mall po bëhen një mënyrë jetese për disa, ka pak energji elektrike, dhe ata që munden, po përpiqen të largohen për në Kanada dhe Evropë. Dëshpërimi është i tillë që e ka shtuar nivelin e vetëvrasjeve në rrugët e Libanit këtë verë.
Dhe çfarë po bën qeveria libaneze për të menaxhuar krizën? Po kundërshton reformat, po përplaset me parlamentin, po i bën rezistencë Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe po flirton me Kinën – gjithçka që duket se do ta çojë në dështim total. Stafi profesional i FMN duhet vlerësuar për këmbënguljen e tyre në përpjekjen për t’i ndihmuar libanezët, veçanërisht sepse nuk ka shumë entuziazëm ndërkombëtar për t’i ardhur në ndihmë qeverisë që të dalë nga ajo që ka gatuar vetë. Ministri i Jashtëm francez u shfaq në Beirut kohët e fundit, por vetëm për të forcuar mesazhin se reformat janë thelbësore. Në Uashington, ata që nuk duan të shpëtojnë një qeveri dhe klasë politike të komprometuar nga Hezbollahu deri më tani mund të thonë lirshëm se patën të drejtë. As sauditët dhe Emiratet nuk janë të prirur të ndihmojnë. Katari nuk ka tentuar.
Kjo e bën Kinën mbrojtësin e mbetur të mundshëm, por pasi qeveria libaneze të firmosë ca marrëveshje me Pekinin, kjo do të thotë se nuk ka kthim mbrapa. Duke pasur parasysh në çfarë pike janë tani marrëdhëniet amerikano-kineze dhe ndikimin e Uashingtonit në FMN, zyrtarët në Beirut nuk duhet të presin shumë nga fondi nëse zgjedhin kinezët.
Mosfunksionimi dhe hedhja e fajit te tjetri në klasën politike është vështirë të përballohet teksa vendi po shkon drejt kolapsit. Kjo është, sidoqoftë, ajo për të cilën ka punuar sistemi politik, të cilin miliona libanezë mbushën sheshet e rrugët vjeshtën e kaluar që ta rrëzonin. Libani ka shfaqur prej kohësh një sistem që me konventë i ka ndarë pushtetin dhe resurset shtetërore përgjatë linjave fetare. Më e njohura ndër këto ndarje: presidenti është gjithnjë i krishterë, kryeministri sunit dhe kryetari i parlamentit shiit. Dhoma e Deputetëve – parlamenti –në përputhje me kushtetutën e Libanit, është e ndarë në mënyrë të barabartë mes të krishterëve dhe myslimanëve dhe në mënyrë proporcionale me sektet e ndryshme. Sistemi është një trashëgimi e sundimit kolonial francez, i cili u përpoq të ruajë paqen sociale në një vend ku ndarjet sektare ishin të shumta. Por me kalimin e kohës, ky sistem u kthye në rendin shoqëror dhe ekonomik të Libanit. Edhe pas luftës civile të viteve 1975-1990, gjatë së cilës pati gjakderdhje sektare, Libani iu kthye sërish kësaj formule.
Por është e dyshimtë se si sistemi e ka ruajtur paqen e brendshme kohët e fundit. Duke marrë parasysh faktin që vendi ka qenë kohët e fundit i qëndrueshëm, ka më shumë të ngjarë që të ketë pasur efekt një funksion i përfshirjes në qeveri të grupit sektar ushtarak të shiitëve, Hezbollah. Por, edhe në se marrim parasysh se përpjekjet e Libanit për të krijuar stabilitet përmes një panorame të shpërndarjes së rregullt dhe të pajtuar të pushtetit sektar, kanë funksionuar, kjo ka prodhuar edhe sasi të konsiderueshme korrupsioni. Në fillim të viteve 2000, zyrtarët pranuan nevojën për të kapërcyer politikën sektare, por kjo mbeti thjesht në kuadrin e deklaratave.
Pozicionet vazhdojnë të ndahen bazuar në përkatësinë fetare, dhe janë burimet shtetërore ato që qarkullojnë përmes rrjetave të zyrtarëve të tjerë, burokratëve dhe mbështetësve të interesave të biznesit, në kurriz të të mirës më të madhe. Kjo krijon zona ndikimi dhe grupe zyrtarësh që pasurohen, u shtohet pushteti dhe bëhen edhe më të pangopur, e gjitha kjo në kurriz të qytetarëve të thjeshtë libanezë. Askush nuk duhet të befasohet nga infrastruktura e shkatërruar e vendit dhe nga shërbimet praktikisht joekzistente të qeverisë. Kjo është pamja që të servir një klasë politike arrogante dhe përçarëse.
Protestuesit, të cilët doli masivisht në rrugë vjeshtën e kaluar, e dinin se çfarë i nevojitet Libanit: një sistem krejtësisht i ri. Duhet të jetë një sistem i tillë që heq qafe plaçkën politike dhe financiare bazuar në sekte, në favor të një rendi më të drejtë dhe të ekuilibruar. Është e vështirë të mos e admirosh vendosmërinë dhe kreativitetin me të cilat libanezët e kërkuan këtë ndryshim, por megjithë përpjekjet e tyre më të mira, ata mbetën nën drejtimin e një klase politike që e ka domosdoshmëri ekzistenciale ruajtjen e sistemit aktual. Kjo do të thotë ta mbash vendin në një vuajtje të zgjatur ndërsa udhëheqësit e tij përpiqen në mënyrë të dëshpëruar të manovrojnë me dështimin e tyre moral dhe financiar. Pikërisht kjo është pamja që ka kolapsi.
Marre nga Foreign Policy