Koronavirusi po mbizotëron ende me shtrirjen e tij, që kur OBSH-ja e shpalli atë pandemi globale rreth pesë muaj më parë.
Sipas medieve të huaja, më shumë se 19 milionë raste janë konfirmuar në 188 vende të botës, ndërsa rreth 700 mijë njerëz kanë ndërruar jetë.
Rastet e virusit vdekjeprurës po vazhdojnë të shënojnë rritje, madje edhe në disa vende ku e mposhtën me sukses sfidën e parë të shpërthimit.
Në cilat vende ka rritje të rasteve dhe të viktimave?
Amerika Latine është epiqendra e re e pandemisë, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Brazili është vendi i dytë në botë më i goditur nga coronavirusi, pasi numri i viktimave u rrit në 100 mijë të shtunën. Meksika në anën tjetër ka regjistruar më shumë se 50 mijë të vdekur nga sëmundja.
Rastet po rriten gjithashtu me shpejtësi edhe në Kolumbi, Peru, Argjentinë dhe Bolivi.
Në mesin e vendeve që e pësuan keq nga pandemia është edhe Irani. Informacioni i zbuluar nga BBC, tregon se numri i viktimave në Iran deri më 20 korrik ishte 42 mijë, rreth tre herë më shumë se totali i shifrës së publikuar zyrtarisht nga qeveria e vendit.