Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Irani paraqet një kërcënim të vërtetë për Evropën.
“Ne kemi parë llojet e fushatave që ata kanë realizuar këtu. Ne kemi parë rrezikun e komploteve të atentateve. Ne kemi parë ndjekje penale për këto, në të gjithë Evropën. Nuk ka kuptim që ndonjë vend evropian të mbështesë mundësinë që iranianët të kenë armë”, tha Pompeo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Intervista u zhvillua në Pragë të Çekisë, ku Sekretari Pompeo qëndroi si pjesë e turneut të tij pesëditor në Evropën Qendrore.
Shtetet e Bashkuar janë duke bërë përpjekje që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të zgjasë një embargo të armëve ndaj Iranit, pasi rezoluta aktuale përfundon në muajin tetor.
Pompeo tha se Irani është sponsorizuesi më i madh i terrorizmit në botë.
I pyetur për situatën në Bjellorusi, ku pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 11 gusht kanë shpërthyer protesta, Pompeo tha se “Shtetet e Bashkuara duan rezultate të mira për popullin në Bjellorusi, dhe ne do të ndërmarrim veprime në përputhje me këtë”.
Në këtë intervistë, Pompeo diskutoi gjithashtu përpjekjet e fundit të Rusisë për të shënjestruar mediat e huaja, përfshirë Radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës.
Në një deklaratë të 10 gushtit, Pompeo tha se dy media të financuara nga SHBA tashmë përballeshin me “kufizime domethënëse dhe të panevojshme” në Rusi, dhe se një projekt-urdhër i fundit nga rregullatori shtetëror i mediave ruse që kërkon nga të gjithë mediat e regjistruara si “agjentë të huaj” për të etiketuar përmbajtjen si të tillë ose të përballen me gjobë deri në 5 milion rubla (70,000 dollarë) e kishte lënë Uashingtonin “thellësisht të shqetësuar”.
Ndërsa në Pragë, ku gjendet edhe selia e Radios Evropa e Lirë, Pompeo tha më 12 gusht, se “ne mendojmë se mund të bëjmë presion të vërtetë dhe t’i bindim ata se gjëja e duhur për të bërë është të lejojmë lirinë e mediave”.
“Ne e kemi dënuar atë. Ne kemi vendosur gjithashtu sanksione të mëdha ndaj Rusisë për elemente tjera të veprimtarisë së tyre malinje”, tha Pompeo.
“Shpresojmë që ato kombe që vlerësojnë lirinë e mediave, të cilat dëshirojnë që reporterët e pavarur të jenë në gjendje të bëjnë pyetje, edhe nëse ndonjëherë udhëheqësit nuk i pëlqejnë ata, do të bashkohen me ne “, tha Pompeo.