Robert Trump, vëllai më i ri i presidentit amerikan, Donald Trump, vdiq të shtunën mbrëma në një spital në New York.
Presidenti Trump tha në një deklaratë se “vëllai im i mrekullueshëm vdiq në paqe. Ai nuk ishte vetëm vëllai, por miku im më i mirë”, shkroi presidenti Trump.
"Do na mungojë shumë, por do të takohemi sërish. Kujtimet e tij do të jetojnë në zemrën time përherë. Robert, të dua. Prehu në paqe”, tha ai.
Robert Trump, 71 vjeçar ishte afarist që qëndroi larg vëmendjes së publikut për dallim nga i vëllai.
Presidenti Trump i bëri një vizitë emocionale vëllait të tij të sëmurë të premten në New York. Shkaku i vdekjes nuk u bë i ditur. Presidenti Trump u tha gazetarëve të premten se i vëllai “po kalon një periudhë të vështirë”, për shkak të një sëmundjeje.
ABC News kishte raportuar se Robert Trump ishte shtruar në spital në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin Mount Sinai në New York për më shumë se një javë në muajin qershor.
Atë muaj, Robert Trump fitoi një urdhër kufizues të përkohshëm kundër mbesës së tij dhe të presidentit, Mary Trump, për ta ndaluar atë të botonte një libër rreth familjes.
Më pas një gjykatë në Poughkeepsie të New Yorkut, hodhi poshtë kërkesën për të ndaluar botimin dhe anuloi urdhrin kufizues.