Po lufton me vdekjen në terapinë intensive/ Ç’thonë mjekët e Kremlinit për armikun e Putinit, gruaja nuk e sheh dot se…

Premte, 21 August 2020 15:52

 

Mjekët rusë kanë thënë se janë duke luftuar për t’i ruajtur jetën liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, derisa ai po merr trajtim në një spital për kujdes intensiv në Siberi.
Navalny, që njihet për fushatat e tij kundër korrupsionit është sëmurë derisa ka qenë në një udhëtim me aeroplan, andaj fluturimi është ndalur në mënyrë emergjente në qytetin siberian, Omsk, ka thënë Kira Yarmysh, sekretarja për media e Fondacionit Kundër Korrupsionit, të cilin Navalny e ka themeluar më 2011. Ajo shtoi se ka supozime që diçka i është shtuar në çaj.
Një burim brenda spitalit ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve, TASS se ai është duke u trajtuar për helmim.

“Ai është ende në një ventilator. Ai është në gjendje të rëndë kome. Ende nuk ka rezultate të testimit”, ka shkruar Yarmysh në rrjetin social Twitter.

Anatoliy Kalinichenko, zëvendësshef i Departamentit të Emergjencave në Spitalin Nr. 1 në Omsk, tha se Navalny është në një gjendje të rëndë, por të qëndrueshme dhe se mjekët po përpiqen të “shpëtojnë jetën e tij”.

Megjithatë, ai theksoi se “nuk është e sigurt nëse shkaku i gjendjes së tij është helmimi”, duke theksuar se kjo është “një nga arsyet e mundshme” por po merren parasysh edhe shkaqet e tjera.

Sidoqoftë, Yarmysh beson se mjekët “fshehin informacionet dhe nuk thonë atë që dinë”, duke shtuar se brenda spitalit ka më shumë oficerë policie sesa mjekë.

Bisedime rreth transferimit të Navalny në një spital perëndimor

Mjeku i Navalny, Jaroslav Ashikmin, deklaroi se “është e nevojshme që ai të evakuohen në Evropë” për trajtim.

“Ne po mundohemi të arrijmë një marrëveshje me spitalet në Hanover ose Strasburg për ta marrë atë”, tha ai.

Ashikmin shtoi se spitalet perëndimore kanë më shumë mundësi për të zbuluar substancat që mund të shkaktojnë helmim.

Raportohet se tashmë po vazhdojnë përpjekjet për të evakuuar, Aleksei Navalny nga Siberia në Gjermani.

Më herët, Gjermania dhe Franca thanë se mund të ofrojnë kujdes mjekësor.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel thanë se ata ishin thellësisht të shqetësuar për atë që po ndodhte me Navalny, një nga kritikët më të ashpër të presidentit rus Vladimir Putin.

Macron, i cili priti Merkel për bisedime në rezidencën e tij verore tha se kishte diskutuar gjatë për këtë rast me lideren gjermane.

“Lajmet që kemi në këtë orë janë jashtëzakonisht shqetësuese. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën shumë nga afër”, tha ai një konference të përbashkët shtypi me Merkel.

Gruaja e tij e ka të pamundur ta vizitojë

Gruaja e Aleksei Navalny, Julia shkoi nga Moska në Omsk, por Yarmish tha që zyrtarët e spitalit e penguan atë ta shihte atë me arsyetimin se i mungon “miratimi i pacientit”, raporton Reuters.

Yarmysh shtoi se spitali e refuzoi kërkesën për paraqitjen e dokumentacionit të nevojshëm që Navalny të transferohej në një prej spitaleve evropiane, raporton AP.

Kremlini: Mjekët po bëjnë gjithçka për të ndihmuar Navalny

Kremlini ka thënë të enjten se mjekët janë duke bërë gjithçka që munden për t’i ndihmuar Navalnyt, si dhe i ka dëshiruar shërim të shpejtë sikurse secilit qytetar tjetër të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se helmimi duhet të konfirmohet nga testet laboratorike, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Ai ka thënë se autoritetet do ta shqyrtojnë kërkesën që Navalny të trajtohet jashtë shtetit, nëse do të ketë një të tillë.

Pavel Lebedev, pasagjer në fluturimin ku është sëmurë Navalny, ka thënë se në fillim të udhëtimit, Navalny “ka shkuar në toalet dhe më pas nuk është kthyer”.

“Ai ka qenë shumë i sëmurë dhe duke bërtitur nga dhimbjet. Ata nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur me të. Jemi ndalur në Omsk. Ambulanca ka arritur”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Navalny, 44-vjeçar është kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin.

Në muajin qershor, ai e ka përshkruar procesin e votimit për reforma kushtetuese si “puç” dhe “shkelje të kushtetutës”.

Çfarë ka thënë zëdhënësja?

Kira Yarmysh, sekretarja për media e Fondacionit Kundër Korrupsionit, të cilin Navalny e ka themeluar më 2011, ka thënë: “Këtë mëngjes Navalny ka qenë duke u kthyer në Moskë nga Tomsku”.

“Përgjatë fluturimit, ai nuk është ndjerë mirë. Aeroplani ka bërë ulje emergjente në Omsk. Aleksei është helmuar me ndonjë toksinë. Tani jemi duke shkuar në spital”.

Ajo më pas ka shtuar: Ne dyshojmë se Aleksei është helmuar me diçka të përzier në çajin e tij. Ajo ka qenë gjëja e vetme që ka pirë në mëngjes.

“Mjekët po thonë se toksina ka reaguar më shpejt përmes ujit të ngrohtë. Aleksei tani është pavetëdije”.

Më vonë Yarmysh ka thënë përmes një postimi në Twitter se Navalny është në kujdes intensiv, në ventilator dhe në komë.

Ajo ka thënë se mjekët fillimisht kanë qenë të gatshëm të japin informacion, mirëpo tani janë duke thënë se testimet janë vonuar dhe “janë duke synuar të fitojnë kohë që të mos tregojnë atë që dinë”.

Ajo ka thënë se departamenti për kujdes intensiv është i mbushur me zyrtarë policorë.

Agjencia e lajmeve, TASS ka raportuar se Spitali për Emergjenca i Omskut ka konfirmuar se Navalny është në gjendje serioze.

Kafeja ku Navalny bleu çaj ndodhet në një pjesë shumë të sigurt ku pasagjerët arrijnë pas kontrollit të sigurisë.

Një burim nga policia, të cilit i referohet TASS, ka thënë se kanë biseduar me punonjësit në atë restorant, dhe se ata dinë shumë pak për atë që ndodhi.

Kush është Aleksei Navalny?

Ai është bërë i njohur në publik duke bërë të ditur korrupsionin mes zyrtarëve publikë.

Ai është burgosur disa herë nga autoritetet, derisa partinë Rusia e Bashkuar të Putinit e konsideron “parti të hajdutëve”.

Më 2011, ai është arrestuar dhe burgosur për 15 ditë, pas protestave se ka pasur mashtrime me vota nga partia e Putinit në zgjedhjet parlamentare.

Navalny më vonë është burgosur edhe në korrik të vitit 2013, nën akuzat për përvetësim, të cilat i pati konsideruar politike.

Ai ka tentuar të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, mirëpo i është pamundësuar një gjë e tillë për shkak të dënimit paraprak për mashtrim, rast të cilin po ashtu e ka konsideruar të motivuar politikisht.

Në korrik të vitit 2019, ai është burgosur për 30 ditë, për mbajtje të protestave të paautorizuara.

Ai ishte sëmurë gjatë kohës në burg. Doktorët kanë thënë se ai ka pasur një sëmundje të lëkurës, ndonëse vetë Navalny ka thënë se nuk ka pasur kurrë alergji.

Doktori i tij ka sugjeruar se ai mund t’i jetë ekspozuar “ndonjë agjenti toksik”.

Edhe Navalny pati pretenduar se mund të jetë helmuar.

Për këtë arsye, Yarmysh ka thënë se beson që Navalny është helmuar sërish.

“Ata i kanë bërë të njëjtën gjë edhe tani”, ka deklaruar ajo.

Udhëheqësi i departamentit ligjor të Fondacionit të Navalnyt, Vyacheslav Gimadi, ka shkruar në Twitter: Nuk ka dyshim se Navalny është helmuar për qëndrimet e tij politike dhe aktivitetin e tij”.

Avokatët e Navalnyt janë duke kërkuar hetime për tentim-vrasje, ka shtuar ai.

Shefi për Politikë së Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell ka thënë se “është i shqetësuar për helmimin e mundshëm të Aleksei Navalnyt”.

“Nëse konfirmohet, ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, duke i dëshiruar atij “shërim të shpejtë”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...