VOA/Sezoni i gripit dhe pandemia në Hemisferën Veriore

E Enjte, 24 September 2020 08:05

 

Mjekët dhe ekspertët e shëndetit publik po i paralajmërojnë njerëzit në Hemisferën Veriore që të përgatiten për më të keqen në muajt e ardhshëm, kur koronavirusi dhe virusi i gripit do të qarkullojnë në të njëjtën kohë. Është një situatë e vështirë që mund të shkaktojë edhe më shumë vdekje dhe të mbingarkojë sistemet e kujdesit shëndetësor.

Mjekët thonë se këtë vit është më e rëndësishme të bësh vaksinën e gripit se anjëherë më parë. Ekspertët e qeverisë amerikane rekomandojnë që vaksinën ta bëjë kushdo, nga mosha 6 muajsh e lart.

“Parashikojmë se do të ketë njerëz që kanë edhe COVID edhe grip dhe kjo do të ishte tepër e rëndë, pasi rrit rrezikun e vdekjes nga njëri ose nga tjetri, prandaj duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’i parandaluar,” thotë doktoreshë Susan Rehm në Klinikën Cleveland.

Të dy janë viruse të frymëmarrjes dhe që të dy mund të shkaktojnë vdekjen. Ndërkaq, stina e gripit praktikisht ka filluar.

"Ne do të hyjmë në këtë stinë me duar të lidhura pas shpine dhe po punojmë në një klimë ku besimi te vaksinat vazhdon të bjerë," thotë Lavanya Vasudevan, në Institutin Global të Shëndetit pranë Universitetit Duke.

Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve raportojnë një rënie të ndjeshme të imunizimeve rutinë te fëmijët. Mjekët thonë se ka pasur rënie të madhe të vizitave mjekësore për shkak të pandemisë. Por ata thonë gjithashtu se nuk ka arsye për t'u frikësuar nga vizitat.

"Të gjitha objektet shëndetësore po marrin masa paraprake shtesë për ta bërë mjedisin të sigurt për njerëzit që hyjnë brenda," thotë doktoreshë Rehm.

Profesore Vasudevan thotë se edhe kur nuk ka një pandemi, njerëzit shpesh nuk e bëjnë vaksinën e gripit.

"Vaksina e gripit jo gjithmonë ka efekt dhe njerëzit e përdorin këtë si justifikim për të mos e bërë vaksinën,” thotë profesorja.

"Vitet e fundit, vetëm 20 për qind e njerëzve e kanë bërë vaksinën. Në të kaluarën kemi arritur deri në 60, 65%." thotë Thomas Denny, i Institutit të Vaksinave në Universitetin Duke.

Ekspertët besojnë se edhe një vaksinë jo e përsosur mund të ulë fuqinë e infeksionit.

"Ekzistojnë disa mite për vaksinën e gripit, për shembull se marrja e vaksinës të jep gripin. Kjo nuk është e mundur, sepse grimcat e virusit në vaksinën e gripit janë të vdekura dhe nuk mund të shumohen," thotë profesore Vasudevan.

Të dhënat tregojnë se, gjatë sezoneve të kaluara, 80% e fëmijëve që humbën jetën nga gripi nuk ishin vaksinuar. Hulumtimet e Universitetit Duke tregojnë se vetëm një e treta e të rriturve amerikanë e morën vaksinën në vitin 2018.

Ata që rrezikojnë më shumë nga infeksionet e gripit janë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të tjera. Në rrezik janë gjithashtu afrikano-amerikanët dhe pakicat e tjera.

"Më shqetëson shumë fakti që komunitetet më të goditura nga COVID-i ndikohen gjithashtu shumë nga gripi dhe ne dimë që nivelet e vaksinimit janë më të ulëta te këto komunitete," thotë profesore Vasudevan.

Ajo thotë se profesionistët e shëndetit publik duhet të punojnë me drejtuesit e komuniteteve që njerëzit të dinë se vaksinat e gripit mund të shpëtojnë jetë si dhe t'i shpërndajnë ato falas.

Login to post comments