Gjatë debatit të mbrëmshëm në SHBA mes kandidatëve presidencialë, Donald Trump dhe Joe Biden u diskutua edhe për çështjen e racizmit. Në diskutime doli emri i dy organizatave: Djemtë Krenarë dhe Antifa. Por çfarë janë këto organizata?
Djemtë Krenarë
Sipas BBC, ky grupim është themeluar në vitin 2016 nga aktivisti britaniko-kanadez i krahut të djathtë Gavin McInnes. Bëhet fjalë për një grupim të ekstremit të djathtë, kundër emigrantëve dhe i përbërë vetëm nga meshkuj.
Ata kanë një historik dhune ndaj kundërshtarëve të krahut të majtë.
Një anëtar i Djemve Krenarë duhet të deklarojë se është ‘një shovinist perëndimor, që refuzon të kërkojë falje për krijimin e botës moderne’.
Platforma e tyre parashikon glorifikimin e sipërmarrjes, mbylljen e kufijve, lirinë për të mbajtur armë, fundin e shtetit të mirëqenies sociale dhe rolet tradicionale gjinore.
Ata janë përplasur disa herë me anëtarët e grupimit Antifa në rrugë.
ANTIFA
Antifa është shkurt për anti-fashist, një grupim aktivistësh kryesisht të ekstremit të majtë. Ata përfshijnë në mesin e tyre anarkistë, por edhe komunistë dhe disa socialdemokratë.
Ajo që i veçon ata është gatishmëria për të përdorur dhunë- për vetëmbrojtje, thonë ata.
Kjo lëvizje thuajse u zhduk plotësisht në SHBA, por u zgjua pas zgjedhjes së Donald Trump. Ata zakonisht përplasen me ekstremin e djathtë.
Grupi ka qenë mjaft aktiv gjatë protestave të ‘Black Lives Matter’ në shumë qytete të mëdha dhe ka qenë veçanërisht i lidhur me trazirat në Portland.
Në fund të gushtit, një antifashist, 48-vjeçari Michael Reinoehl qëlloi dhe vrau një mbështetës të një grupimi pranë Djemve Krenarë. Reinoehl u qëllua për vdekje nga policia një javë më pas.
Grupimet janë relativisht të vogla- maksimumi disa mijëra mbështetës. Por prirja për dhunë dhe përplasja e tyre i ka bërë një temë shumë më të madhe bisede sesa sugjerojnë shifrat.