Presidenti Donald Trump thotë se është gati t’u kthehet aktiviteteve të fushatës elektorale pas diagnostikimit me COVID-19. Ish Nënpresidenti Joe Biden shkon këtë javë në shtetin e Ohajos për të argumentuar se është kandidati që meriton një fitore për në Shtëpinë e Bardhë më 3 nëntor. Ndërkohë, Senati amerikan filloi të hënën seancat për konfirmimin e gjykatëses Amy Coney Barrett, e emëruar nga presidenti Trump për vendin e lirë në Gjykatën e Lartë.
USA, Washington, Amy Coney Barrett looks on before a confirmation hearing before the Senate Judiciary Committee
USA, Washington, Amy Coney Barrett looks on before a confirmation hearing before the Senate Judiciary Committee
Me pak më shumë se tre javë nga Dita e Zgjedhjeve, Presidenti Donald Trump tha se është i gatshëm të kthehet në veprimtaritë e fushatës pasi është shëruar nga COVID-19. Mjeku i tij lëshoi një deklaratë të dielën ku thotë se presidenti republikan nuk konsiderohet më rrezik për transmetimin e sëmundjes. Por debati i dytë presidencial mes kandidatëve, i planifikuar për këtë javë u anulua. Presidenti u tërhoq nga një debat virtual me ish nënpresidentin Joe Biden.
“Është mënyra sesi janë zhvilluar debatet në Amerikë gjatë 200 vjetëve të fundit. Qëndron në këmbë dhe debaton. Babai im nuk do ta zhvillojë debatin përmes një video-konference. Ai do të qëndrojë në podium, të shohë sfiduesin në sy, dhe Bideni nuk është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë”, tha Eric Trump, i biri i Presidentit Donald Trump.
Fushata e zotit Biden thotë se kandidati i saj mezi pret të debatojë personalisht me zotin Trump më 22 tetor, për sa kohë që presidenti nuk është më i infektuar dhe ndjek protokollet shëndetësore.
Edhe pse zoti Biden udhëheq ndaj presidentit Trump me deri në 12 pikë në një sondazh të fundit kombëtar me votues të mundshëm, të dy kandidatët po shkojnë në të ashtuquajturat "shtete të fushë-betejës", shtetet kyçe që mund të vendosin rezultatin e zgjedhjeve. Këtë javë, presidenti Trump shkon në Florida për një tubim dhe më pas në Pensilvani. Zoti Biden do të shkojë në Ohajo.
Amerikanët kanë filluar të votojnë në shumë shtete. Pjesëmarrja duket e lartë në Uiskonsin, një shtet fushë beteje, ku në Qarkun Dejn, një bastion i demokratëve, numri i fletëve të votimit të dorëzuara është tashmë më shumë se 36 përqind më shumë se sa votat e hedhura në zgjedhjet e vitit 2016 në këtë qark, njoftoi gazeta The New York Times.
Fushata e zotit Biden po u thotë njerëzve të votojnë herët dhe fizikisht në shtetet që i lejojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
“Po u themi njerëzve të shfrytëzojnë mundësinë e votimit të hershëm dhe të shkojnë të votojnë në qendrat e votimit.Nju Orlinsi dhe Luiziana filluan votimin e hershëm dje. Po i inkurajoj njerëzit ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Votimi i hershëm është mënyrë shumë e mirë për të votuar fizikisht. Ai pakëson rradhët Ditën e Zgjedhjeve”, thotë Cedric Richmond, demokrat nga Luiziana.
Ndërsa fushatat përcjellin mesazhet e tyre të fundit, Senati të hënën filloi seancat dëgjimore për konfirmimin e gjykatëses Amy Coney Barrett për t'u bërë anëtare në Gjykatën e Lartë Amerikane. Seancat dëgjimore do të hapin një tjetër skenë debatesh për të ardhmen e vendit. Nëse konfirmohet, zonja Barrett do të zëvendësojë gjykatësen Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq në shtator.