Ministri i Jashtëm gjerman Maas do të flasë sot me Greqinë dhe Qipron për mosmarrëveshjen e gazit mes tyre dhe Turqisë. Ai e paralajmëroi Ankaranë me fjalë të qarta të mos e përshkallëzojë situatën.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas është nisur për në Qipro dhe Greqi për të folur në lidhje me mosmarrëveshjen e gazit midis dy shteteve të BE dhe Turqisë.
Para nisjes, Maasi e paralajmëroi Turqinë të mos e përshkallëzojë mosmarrëveshjen: “Ankaraja duhet t’i japë fund alternimit të shtensionimit me provokimin, po të jetë e interesuar qeveria për bisedime – siç ka siguruar vazhdimisht,” tha ai.
“Solidaritet i plotë” me Qipron dhe Greqinë
Partnerët e BE Qipro dhe Greqi kanë “solidaritet të plotë, gjithashtu në rolin tonë aktual si Presidencë e Këshillit të BE”, theksoi politikani i SPD. E qartë është se të gjitha palët duhet të punojnë për një raport fqinjësor të arsyeshëm. “Prandaj i bëjmë thirrje Turqisë që dritarja e dialogut që sapo është hapur me Greqinë të mos rimbyllet përmes masave të njëanshme.”
Maasi i kërkoi Turqisë të mos rifillojë kërkimet e gazit në zonat më të diskutueshme të detit. Kjo do të ishte “një pengesë e madhe” për përpjekjet për shtensionim dhe për zhvillimin e marrëdhënieve BE-Turqi.
Udhëtimi nuk vazhdon në Turqi
Në Qipro janë planifikuar fillimisht takime me Presidentin Nikos Anastasiadis dhe Ministrin e Jashtëm Nikos Christodoulidis. Maasi më pas do të shkojë në Athinë ku do të takohet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe kolegun e tij Nikos Dendias. Sidoqoftë, nuk do të ketë një vizitë të mëvonshme në Turqi, për të cilën kanë raportuar tashmë mediat turke dhe greke.
Pas një pushimi njëmujor, Turqia e dërgoi anijen e kërkimit “Oruc Reis” përsëri në rajonin në jug të ishullit grek Kastellorizo, për të kryer matje të mëtejshme sizmike. Anija besohet se do të qëndrojë atje deri në 20 tetor. Ministria e Jashtme greke e ka përshkruar këtë hap si “një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në rajon”.
Anija u tërhoq nga ujërat e diskutueshëm vetëm muajin e kaluar në prag të një samiti të BE. Turqia e quajti këtë një sinjal të diplomacisë.
Mosmarrëveshja e gazit temë edhe në samitin e BE?
Që nga zbulimi i depozitave të pasura të gazit në rajon, ka pasur një mosmarrëveshje të ashpër rreth shfrytëzimit të tyre. Të dy anëtarët e BE, Greqia dhe Qiproja, por dhe Turqia i pretendojnë zonat përkatëse detare.
Mosmarrëveshja e gazit mund të jetë temë edhe në samitin e BE të enjten dhe të premten. Në fillim të tetorit, BE nuk i vendosi sanksionet e kërkuara nga Qiproja dhe Greqia kundër Turqisë, por kërcënoi të reagonte në rast të masave të reja turke në konfliktin për gazin natyror