Ekonomia amerikane u rrit me 7.4% nga korriku në shtator, njoftoi të enjten Departamenti i Tregtisë. Rritja erdhi ndërkohë që bizneset filluan të rihapen dhe konsumatorët, të mbështetur nga ndihma qeveritare e koronavirusit, nisën të shpenzonin përsëri në kushtet e pandemisë.
Shifrat e rritjes së tremujorit të tretë kompensojnë pjesërisht rënien prej 9% në periudhën prill-qershor kur pjesa më e madhe e jetës ekonomike të vendit u mbyll për shkak të koronavirusit, që erdhi në SHBA nga Kina dhe Evropa.
Rritja e tremujorit të tretë është raporti i fundit i madh ekonomik para zgjedhjeve presidenciale dhe për kongresin të martën e ardhshme dhe mund të shërbejë si mbështetje për pohimet e Presidentit republikan Donald Trump në garën e tij kundër sfiduesit demokrat Joe Biden se vendi po ecën drejt rimëkëmbjes së shpejtë.
Presidenti Trump, në një koment në Twitter, e quajti shifrën e re “Më të madhen dhe më të mirën në historinë e vendit”. “Viti i ardhshëm, shkruante ai, do të jetë FANTASTIK !!! E megjithatë, Joe Biden Gjumashi dhe ngritja e taksave në nivel rekord e propozuar prej tij, do t’i shuanin të gjitha. Pra, jam i lumtur që ky numër i shkëlqyer i PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto) doli para 3 nëntorit.”
Zoti Biden tha në një deklaratë: “Po, vërtet PBB u rrit në tremujorin e fundit, por vizitat në bankat e ushqimit nuk janë ngadalësuar dhe varfëria është rritur. Afrikano-amerikanët dhe latinët ende përballen me norma dyshifrore papunësie. Barra e shtuar pas përgjigjes së dështuar të pandemisë nga ana e Presidentit Trump ka detyruar shumë gra të largohen plotësisht nga fuqia punëtore.”
“Rimëkëmbja, – tha zoti Biden, – po ngadalësohet në mos po ndalet; rimëkëmbja që po ndodh është duke ndihmuar ata që janë në krye por duke lënë pas dhjetëra miliona familje punëtore dhe biznese të vogla”.
Rritja tre-mujore përkthehet në një normë vjetore prej 33.1%, një shifër fare e pazakontë në një vend që është mësuar me rritje vjetore prej 2% deri në 3%.
Ekonomistët thonë se presin që ekonomia e SHBA, më e madhja në botë, të përparojë përsëri në tre muajt e fundit të vitit, por jo aq shpejt sa në tremujorin e tretë. Por Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar pritet të jetë më i vogël sesa ai në fund të vitit 2019.
Pasiguria qëndron në faktin se SHBA tani po regjistron një numër të madh rastesh të reja me koronavirus – 70,000 ose më shumë në ditë – gjë që mund të frenojë tregtinë, pasi disa zyrtarë shtetërorë po rivendosin kufizimet në bizneset që i kishin hequr ato më parë.
Nëse do të ketë më shumë ndihmë qeveritare për koronavirusin dhe kur mund të vijë kjo ndihmë, përtej 3 trilionë dollarëve të shpenzuar deri tani, kjo gjithashtu mbetet e paqartë.
Në ditët që mbeten para zgjedhjeve të së martës, Presidenti Trump nga njëra anë dhe ligjvënësit e përçarë republikanë dhe demokratë nga ana tjetër, nuk kanë arritur dot marrëveshje mbi një paketë të re ndihme, as mbi përmasat e saj dhe as mbi atë se kush saktësisht mund të përfitonte prej saj.
Ekziston vetëm një dakordim i gjerë për të dërguar një seri të dytë çeqesh prej 1,200 dollarë secili tek shumica e amerikanëve të rritur dhe për të vazhduar pagesat e rritura të papunësisë, përveç ndihmave më pak bujare që japin qeveritë e shteteve.
Kongresi, në një sesion pas zgjedhjeve të së martës, mund të veprojë në lidhje me paketën e ndihmës për koronavirusin, ose të presë derisa fituesi i zgjedhjeve, Trump apo Biden, të bëjë betimin për një mandat të ri presidencial më 20 Janar.
/VOA