Ora 18:01/ Autoritetet turke kanë raportuar se që nga tërmeti i mesditës deri më tani, janë shënuar 97 paslëkundje, 20 prej të cilave ishin të magnitudës mbi 4 të shkallës rihter.
Qendra e Koordinimit të Fatkeqësive Shëndetësore turke ka bërë me dije se janë shënuar 12 viktima, 1 prej të cilëve është mbytur. Ndërkohë që 419 persona janë plagosur si pasojë e shembjes së godinave.
Kërkimet vijojnë në 17 godina të dëmtuara në Izmir.
Ora 16:40/ Numri i viktimave në Izmir të Turqisë ka shkuar në 6 si pasojë e tërmetit të mesditës së sotme.
Sipas mediave turke, së fundmi kanë humbur jetën edhe dy fëmijë, teksa numërohen 202 të plagosur.
Sakaq vijojnë kërkimet nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga lëkundjet.
Tërmeti i magnitudës 6.6 të shkallës rihter goditi mesditën e sotme brigjet e detit Egje, ku më të prekurit ishin ishulli grek i Samosit dhe qyteti i Izmirit në Turqi. Tërmeti u shoqërua edhe me shumë paslëkundje, duhe hapur panik te qytetarët.
Dhjetra godina janë shembur, në një kohë që raportohet për shumë të bllokuar nën rrënoja.