Donald Trump e ka nisur tashmë betejën ligjore së bashku me grupin e avokatëve të republikanëve, pas akuzave për manipulim votash në disa prej shteteve që pritet të përcaktojnë fituesin.
Në Pensilvaninë e shumëpërfolur, avokatët republikanë u përpoqën të ngrinin padi për vlefshmërinë e rreth 100 votave me postë, me pretendimin se ato kishin shenja korrigjimi. Por gjykatësi e hodhi poshtë padinë duke thënë se mbikëqyrësit republikanë po përpiqeshin të zhvlerësonin votat.
Në këtë shtet federal, republikanët janë përpjekur që përpara zgjedhjeve të mos lejojnë aplikimin e votimit me postë, duke pretenduar se ato janë lehtësisht të manipulueshme. Gjykata e këtij shteti federal e hodhi poshtë kërkesën e republikanëve, teksa avokatët e Trump-it po përpiqen ta apelojnë.
Në Xhorxhia është ngritur padi për rastin e një numëruesi, i cili kishte përzierë votat e dërguara me postë, me disa prej kutive të numëruara. Megjithatë, rasti pritet të mos ketë ndikim të madh në përcaktimin e rezultatit.
Në Nevada, avokatët e Trump-it ngritën padi ndaj bordit drejtues të numërimit, me pretendimin se vëzhguesve republikanë nuk po u jepej qasje e plotë për të këqyrur të gjitha hallkat e numërimit. Megjithatë gjykatësit nuk e pranuan këtë padi.
Qëllimi final i Trump-it është që çështja të shkojë në Gjykatën Supreme, në mënyrë që procesi të merret në dorë nga shkalla më e lartë e gjyqësorit dhe fituesi të përcaktohet nga gjykatësit, disa prej të cilëve janë emëruar vitet e fundit nga vetë presidenti.
Deri sa çështja të shkojë në shkallën më të lartë është një rrugë e gjatë dhe ka pak gjasa të ndodhë. Por nëse ndodh kështu rrezikohet shtyrja për javë të tëra, ndoshta deri vitin tjetër e shpalljes së fituesit.