Kalojnë 31 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, simbolit të Luftës së Ftohtë

Hënë, 09 November 2020 08:14

Kanë kaluar 31 vjet të plota që nga shembja e Murit të Berlinit, i cili ishte bërë simbol i Luftës së Ftohtë.

Muri, ndërtimi i të cilit filloi më 13 gusht të vitit 1961 dhe i cili e shndërroi në një ishull Berlinin Perëndimor në Gjermaninë Lindore, u shemb më 9 nëntor të vitit 1989.

 

Gjermania u nda në dy pjesë, lindje dhe perëndim, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që muri, i cili ndante qytetin e Berlinit në dy pjesë ende kujtohet si “muri i turpit”, edhe pse kanë kaluar 31 vjet nga rënia e tij.

Gjermania, e cila pësoi disfatë në luftë, u nda në katër pjesë nga SHBA, Britania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik, të cilat vendosën ta ndajnë në katër pjesë edhe Berlinin, kryeqytetin gjerman deri në Luftën e Dytë Botërore.

 

Administratat e rajoneve të kontrolluara nga SHBA, Britania dhe Franca u bashkuan në vitin 1949 për të formuar atë që u njoh si Republika Federale e Gjermanisë (BRD), ndërsa rajoni nën administrimin sovjetik në të njëjtin vit u shpall si Republika Demokratike e Gjermanisë (DDR).

 

Në këtë mënyrë, Gjermania u nda në dy pjesë, ajo perëndimore (BRD) dhe lindore (DDR).

Në vitet që pasuan, 2,5 milionë njerëz të rinj dhe të arsimuar ikën nga Gjermania Lindore në atë Perëndimore për arsye ekonomike.

 

Administrata e Gjermanisë Lindore, për të parandaluar këto ikje, më 12 gusht 1961 në mënyrë të fshehtë vendosi që të mbyllë kufirin në Berlin. Ditën e ardhshme, ushtarët rrethuan me tela me gjemba rajonin e kontrolluar nga sovjetikët. Ndërkaq, më 17 gusht 1961, pas dështimit për të parandaluar këto ikje përmes gardhit kufitar, Muri i Berlinit, i gjatë 3,6 metra, filloi të ndërtohet me tulla.

Kështu, Berlini, i ndarë në vitin 1949, u nda edhe fizikisht përmes murit, i cili më vonë do të njihej si “muri i turpit”. Muri i Berlinit në të njëjtën kohë ndante edhe Evropën dhe botën në dy blloqe dhe u shndërrua në simbol të Luftës së Ftohtë.

Krahas që kalonte në qendër të Berlinit, muri, me një gjatësi prej 155 kilometrash, përfshinte edhe rrethinën e qytetit.

Në periudhën më pas, afër murit u rritën masat e sigurisë dhe u vendosën 302 kulla vrojtimi, ndërsa u angazhuan mbi 11 mijë ushtarë të Gjermanisë Lindore.

Midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore u vendosën tetë pika kufitare. Më i njohur nga to ishte “Checkpoint Charlie” në Rrugën Friedrichstrasse.

 

– Shembja e murit

Procesi i reformave në ish-shtetet e Bllokut Lindor filloi me politikën për transparencë dhe ristrukturim (Glasnost dhe Perestrojka) të presidentit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, me ç’rast nën ndikim ra edhe Gjermania Lindore në vitin 1989.

Mijëra shtetas të Gjermanisë Lindore në verën e vitit 1989 filluan të ikin në Gjermaninë Perëndimore përmes Hungarisë dhe Çekosllovakisë.

Nga ana tjetër, në Gjermaninë Lindore u rritën protestat kundër qeverisë. Dhjetëra mijëra persona që mblidheshin në Leipzig çdo javë, me sloganin “Wir sind ds Volk” (Ne jemi populli), kërkuan ndryshimin e politikës së vendit.

 

Demonstratat u përhapën në qytete të ndryshme të Gjermanisë Lindore. Më 4 nëntor të vitit 1989, mbi 100 mijë njerëz u mblodhën në Sheshin Alexander në Berlinin Lindor, duke realizuar protestën më të madhe në historinë e Gjermanisë Lindore.

Si rezultat, qeveria e Gjermanisë Lindore u detyrua të miratojë një rregullore udhëtimi me efekt të menjëhershëm, me çka qytetarët e Gjermanisë Lindore vërshuan drejt pikave kufitare. Njerëzit filluan ta shembin murin. Berlinasit lindorë, të cilët përmes pikave kufitare ose duke kapërcyer murin kaluan në anën tjetër, u përqafuan me berlinasit perëndimorë që i pritën.

Pas 28 vitesh, dy muajsh dhe 28 ditësh, “muri i turpit” u shemb më 9 nëntor, duke i dhënë fund edhe periudhës së Luftës së Ftohtë.

 

– Shumë të vrarë gjatë kalimit të kufirit

Një numër i madh njerëzish u vranë teksa u përpoqën ta kalojnë kufirin dhe murin nga Gjermania Lindore. Edhe pse regjistrimet tregojnë se 136 njerëz humbën jetën gjatë këtyre kalimeve, supozohet që ky numër të jetë 250.

Dy Gjermanitë u bashkuan zyrtarisht 11 muaj pas shembjes së murit, më 3 tetor të vitit 1990.

Personi i parë që humbi jetën gjatë përpjekjes për të ikur ishte Ida Siekmann më 22 gusht 1961, ndërsa i dyti Günter Litfin më 24 gusht 1961.

Personazhi më i njohur që kishte ikur nga Berlini Lindor në atë Perëndimor ishte ushtari i mbrojtjes kufitare të Gjermanisë Lindore, Conrad Schumann.

Fotografia e tij u bë simboli i ikjes, kur më 15 gusht 1961 ai kaloi telat në rajonin ku mbante roje.

Bashkimi i Gjermanisë çdo vit kremtohet më 3 tetor me ceremoni zyrtare.

– “Ndjenjë e veçantë ecja në rrugët e Berlinit Perëndimor”

Felix Zimmermann, shef ekzekutiv i një kompanie në Berlin që kaloi rininë e tij në Berlinin Lindor, duke rrëfyer për AA jetën në pjesën lindore të qytetit, tha se ai jetonte me familjen e tij në një shtëpi afër murit, ku ata mund të shihnin anën tjetër.

“Ne kishim mall për Berlinin Perëndimor. Në anën tjetër nuhasnim erë suxhuku, pasi në Parkun Tiergarten turqit bënin zgarë. Ndonjëherë dëgjonim edhe muzikë turke”, shprehet ai.

Zimmermann tha se lajmin për shembjen e murit e kishte marrë nga një taksist.

“Kjo është absurde, thash unë. Ai pastaj më çoi në pikën e kalimit kufitar në zonën ku ishte vendosur muri. Ishte shumë interesante që njerëzit u dyndën drejt portës kufitare në një mënyrë paniku. Të gjithë besonin se kishte ndodhur ndonjë gabim. Njerëzit thuajse po hidheshin jashtë nga makinat e tyre…Ju me të vërtetë mund ta kalonit atë. Edhe unë kalova me të dashurën time. Festuam gjithë natën në Berlinin Perëndimor”, rrëfen ai.

“Ishte një ndjenjë e veçantë të ecësh në rrugët e Berlinit Perëndimor”, tha Zimmermann, duke shtuar se ribashkimi i dy Gjermanive ishte një gëzim për të dhe shumë njerëz.//AA

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...