Është thelluar bilanci i tragjedisë në SHBA, pas protestave të përgjakshme në godinën e Kongresit Amerikan. Mediet e huaja raportojnë se ka ndërruar jetën një oficer policie, që shërbente në Capitol Hill, duke e çuar në 5 numrin e viktimave, pas protestave masive, ku mbështetësit e Presidentit në detyrë, Donald Trump, u futën në selinë e Kongresit.
Ai është personi i pestë që vdes në një protestë të thirrur nga Trump për të parandaluar që Kongresi Amerikan të ratifikojë fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, raporton CNN.
Lajmi u konfirmua gjithashtu nga Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, demokrat Dean Phillips, i cili shprehu ngushëllimet e tij për familjen e oficerit të policisë. “Zemra ime shkon drejt familjes së oficerit dhe atyre që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të mbrojtur dhe shërbyer me dinjitet dhe autoritet për komunitetet.”