Nis ceremonia zyrtare e inaugurimit të Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të bëjë betimin si president në një kohë përçarjesh të thella dhe krizash të vështira.
Kjo është padyshim dita e Inaugurimit më e blinduar në histori nga frika e protestave të armatosura. Po ashtu, ndryshe nga çdo herë tjetër në një ceremoni si kjo do të mungojnë njerëzit për shkak të zbatimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit, pandemisë që ka pushtuar mbarë globin.
Ekipi i Biden është përpjekur të mbajë turmat në minimum dhe u ka kërkuar amerikanëve që të mos udhëtojnë në Uashington, DC, por ta ndjekin inaugurimin nga shtëpitë e tyre.
Në vend të njerëzve, komiteti i inaugurimit ka vendosur 200,000 flamuj që përfaqësojnë të 56 shtetet dhe territoret amerikane.
Ora 17:52- Joe Biden u betua si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara para Presidentit të Gjykatës së Lartë John Roberts, me dorën mbi një bibël të vjetër familjare (127-vjeçare) të mbajtur nga gruaja e tij Jill. “Betohem solemnisht për të përmbushur me besnikëri detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe për të ruajtur, mbrojtur Kushtetutën me sa kam mundësi. Zoti më ndihmoftë,” tha Biden.
Ora 17: 48- Kamala Harris bën betimin si Zv. Presidente. Ajo u betua nga gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Sonia Sotomayor. Harris është gruaja e parë në histori që merr këtë post të lartë.
foto galeri PreviousNext
Ora 17:37- Senatorja Klobuchar: Kjo është dita kur demokracia e Amerikës ngrihet vetë
Senatorja Amy Klobuchar reflekton mbi domethënien e inaugurimit të sotëm në Kapitolin e SHBA pas trazirave në të njëjtin vend, dy javë më parë.
“Kjo është dita kur demokracia jonë mbledh veten, pastron pluhurin dhe bën atë që bën Amerika gjithmonë, shkon përpara si një komb nën besimin tek Zoti, i pandashëm, me liri dhe drejtësi për të gjithë,” tha ajo në fillim të ceremonisë.
Ajo shtoi se tani, ndërsa vendi kthen faqen, i takon të gjithëve që “të marrin pishtarin e demokracisë sonë” për të qenë një instrument i së mirës.
“Ne zotohemi sot që kurrë të mos e marrim demokracinë tonë të mirëqenë ndërsa festojmë forcën e saj të jashtëzakonshme. Ne festojmë qëndrueshmërinë e saj, gurin e saj të parë,” tha Klobuchar.
Ora 16:55-Ish-Presidentët Obama, Clinton dhe Bush në ceremoni
Ish Presidenti Bill Clinton dhe e nominuara për Presidente e Demokratëve në 2016, Hillary Clinton sapo u prezantuan në ceremoninë e inaugurimit në Kapitol, SHBA.
Pak më vonë, ish-Presidenti George W. Bush dhe ish-zonja e parë Laura Bush u njoftuan gjithashtu.
Ish Presidenti Barack Obama dhe ish-zonja e parë Michelle Obama janë gjithashtu në Kapitol për inaugurimin.
Ish Presidenti Jimmy Carter, ish Presidenti më i vjetër ende gjallë, nuk pritet të marrë pjesë në ceremoninë e sotme.
Ndërsa Presidenti Donald Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë më herët këtë mëngjes dhe gjithashtu nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Biden.
Ora 16:43- Kush e shoqëron Kamala Harris në ceromoni
Kamala Harris do të shoqërohet në ceremoninë e inaugurimit nga oficeri i Policisë së Kapitolit, Eugene Goodman i cili u bëri ballë rezistencës së protestuesve që sulmuan Senatin dy javë më parë.
Një ndihmës i Biden konfirmon për CNN se Goodman do të shoqërojë Harris në rolin e tij të ri si ushtrues i detyrës së zëvendës rreshterit të Shtëpisë së Bardhë.
Ora 16:31- Biden mbërrin në Kapitol për inaugurimin e tij
Autokolona e Presidentit të zgjedhur Joe Biden ka mbërritur në Kapitol përpara inaugurimit të tij.
Udhëheqësit e Kongresit pritet ta përshëndesin atë gjatë hyrjes në ndërtesën e Kapitolit.
Biden pritet të bëjë betimin e zyrës jashtë ndërtesës në mesditë