Teksa njerëzimi po lufton për gjetjen e kurës ndaj koronavirusit, ky i fundit po përpiqet të mbijetojë duke u shndërruar në mutacione që vështirësojnë jo pak luftën me të.
Përveç varianteve të njohura që po kërcënojnë botërisht, ai britanik, brazilian apo i Afrikës së Jugut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zbuluar së fundmi jo një, por shtatë variante të reja, por që ndajnë të njëjtat veçori si të parat.
Një grup virologësh nga Universiteti Shtetëror i Luizianës theksuan praninë e 7 llojeve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, të gjitha karakterizohen nga mutacione të ngjashme në proteinat “Spike”, zinxhirët e 1200 aminoacideve (blloqet ndërtuese të proteinave) që mbulojnë sipërfaqen e virusit dhe e lejojnë atë të infektojë qelizat.
Shtatë variantet u shfaqën midis gushtit dhe nëntorit 2020, si edhe midis 1 dhjetorit 2020 dhe 19 janar 2021.
Mutacioni “Q677P” karakterizoi pothuajse 28% të rasteve të COVID-ëve të studiuar në detaje në Luiziana dhe 11% të atyre në New Mexico, por përqindja e mostrave virale të sekuencave mbetet edhe në SHBA jashtëzakonisht e ulët, më pak se 1% e totalit. Lajmet për variantet e reja vijnë gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, ku po përhapet me karakteristikat e variantit anglez “B.1.1.7”, më i transmetueshëm, por gjithashtu që mban mutacionin “E484K”, i cili mund të ndihmojë virusin të shmangë mbrojtjen imune të trupit të njeriut. Një tjetër “hibrid”, si më i transmetueshëm dhe më rezistont ndaj antitrupave, është shfaqur gjithashtu në Kaliforni. Nga ana tjetër, “Pfizer” po teston një dozë të tretë të vaksinës së saj anti covid që ndihmon në rritjen e mbrojtjes ndaj varianteve të reja. Pjesëmarrësit në studim do të marrin një dozë të tretë nga 6 deri në 12 muaj nga imunizimi fillestar. Vaksina që do të marrin është e njëjtë me dy të parat. Më pas shkencëtarët do të shqyrtojnë nëse pjesëmarrësit në studim do të zhvillojnë antitrupa që i mbrojnë kundër mutacioneve të reja të koronavirusit.
“Pfizer” është gjithashtu në bisedime me rregullatorët e shumë vendeve lidhur me mundësinë e testimit të një versioni të modifikuar të vaksinës së tij. Megjithatë kompania thotë se nuk ka ndonjë arsye të mendohet se mutacionet janë rezistente ndaj formulës aktuale, por testet po kryen për të qenë të përgatitur për çdo lloj ndryshimi të papritur