“Shtetet e Bashkuara po përgatisin sanksione të reja kundër Moskës, të cilën e akuzojnë për helmimin e udhëheqësit rus të opozitës Alexei Navalny”, tha të dielën Jake Sullivan, këshilltari i Presidentit Joe Biden për sigurinë kombëtare.
“Ne jemi duke përgatitur një seri të re sanksionesh për t’u vendosur në kontekstin e kësaj situate” i tha Jake Sullivan CNN katër ditë pas takimit të Gjenevës midis Presidentit të SHBA Joe Biden dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
Alexei Navalny u sulmua me një agjent neurotoksik. Ai qëndroi në Gjermani për gjashtë muaj dhe u kthye në Moskë për t’u arrestuar në aeroport në janar. Navalny ka qenë në burg që nga ajo kohë, dhe Uashingtoni bashkë me fuqitë perëndimore kanë kërkuar lirimin e tij.
“Ne tashmë kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë lidhur me helmimin e Alexei Navalny. Ne nuk e bëmë atë vetëm, ne do t’i bashkojmë aleatët tanë në një përpjekje kolektive për të ndëshkuar përdorimin e një agjenti kimik kundër një prej qytetarëve të tyre në tokën ruse” tha Jake Sullivan.
Më 2 Mars, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj shtatë zyrtarëve të lartë rusë. Këto ishin hapat e parë të ndërmarrë nga Biden që nga marrja e detyrës në fund të janarit. Pak para samitit SHBA-Rusi në Gjenevë më 16 qershor, Biden lëshoi një paralajmërim mbi çështjen e opozitës ruse.
“Vdekja e Navalny do të përkeqësojë marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës. Dhe me mua” tha ai. Në takimin e Gjenevës, Putini thjesht deklaroi “Ky njeri e dinte se po shkelte ligjin në fuqi në Rusi”. /Abcnews.al