Wall Street Journal: Kriza më e thellë pas kaosit afgan

Tuesday, 24 August 2021 14:08

 

Nga Walter Russell Mead - 24/08/2021

Lajmi i mirë për administratën Biden është se në sondazhin më të fundit të NBC News, 25% e miratojnë mënyrën se si Presidenti Biden menaxhoi situatën në Afganistan. Përkrahja nga jashtë është e edhe më e vështirë për t’u gjetur. Aleatët në NATO janë të tmerruar dhe Greqia përfundoi ndërtimin e një muri në kufi për të mbajtur jashtë vërshimin e pritshëm të refugjatëve. Vendet arabe janë të shqetësuara, India dhe Izraeli në depresion. Kina dhe Rusia janë përçmues.

Kjo nuk është kriza e zakonshme e kredibilitetit e llojit me të cilin Presidenti Obama u përball kur u tërhoq nga vija e kuqe për Sirinë. Amerika ka treguar përkushtim në Afganistan për 20 vjet dhe nuk kishte ndonjë traktat detyrues për të mbrojtur ish-qeverinë afgane. Një tërheqje e ekzekutuar në mënyrë kompetente mund të kishte fuqizuar kredibilitetin amerikan midis disa prej aleatëve në Paqësor, sidomos nëse do të shoqërohej me hapa të qartë për të forcuar praninë amerikane në Azinë Lindore.

Debakli afgan nuk krijon një krizë besimi në kredibilitetin ushtarak amerikan. Vëzhguesit e informuar ndërkombëtarë nuk e vënë në dyshim gatishmërinë tonë për të kundërgoditur nëse sulmohemi. Debakli ushqen diçka shumë më serioze dhe më të vështirë për t’u ndrequr: besimin se SHBA nuk mund të zhvillojë – e të vazhdojë – politika që funksionojnë.

 

As aleatët dhe as kundërshtarët nuk prisnin perfeksion në Afganistan. Zoti Biden kishte të drejtë kur thoshte se përfundimi i luftës do të përfshinte në mënyrë të paevitueshme një farë kaosi, dhe me sa duket as liderët botërorë nuk prisnin një tranzicion pa probleme. Megjithatë, ata prisnin që pas dy dekadave bashkëpunim të ngushtë me forcat ushtarake e politike afgane, SHBA nuk do të kapej e papërgatitur për një kolaps në rang vendi. Ata nuk e kishin menduar që Washingtoni do të ngatërrohej në një krizë të madhe kaotike evakuimi pa pasur as planin më minimal. Nuk e prisnin të ekipi i Biden t’u lutej talibanëve për ndihmë për të nxjerrë amerikanët jashtë vendit.

E gjithë kjo ushqen frikën se SHBA është e paaftë për të hartuar një politikë të vazhdueshme e kompetente. Duket përherë e më evidente se pavarësisht (apo ndoshta për shkak të) gjithë burokratëve me kredenciale dhe proceseve planifikuese të detajuara në makinerinë politikëbërëse të Washingtonit, qeveria e SHBA nuk ka sukses në prodhimin e politikës së jashtme. “Dumkirk”, siç e quajti tërheqjen New York Post, vjen pas 20 vjetëve politikë jokoherente në Afganistan. As dy dekadat e fundit dhe as dy javët e fundit nuk demonstrojnë mençurinë amerikane apo efikasitetin e baletit burokratik bizantin nga i cili del politika e SHBA.

Nëse kriza nuk përfundon shpejt e mirë, kundërpërgjigja e publikut ka gjasa të thellojë përçarjen brenda vendit, të rritë opozitën e Republikanëve kundër administratës dhe të rritë shanset për një Kongres me shumicë Republikane. Shumë vëzhgues të huaj se shanset e Trumpit për rikthim në Shtëpinë e Bardhë janë rritur ndjeshëm.

Amerikanët kanë prirjen ta shohin politikën e jashtme me terma partizanë. Demokratët mendojnë se Republikanët janë problemi dhe e anasjella. Nga jashtë nuk duket kështu. Për shumë vëzhgues të huaj, shekulli 21 ka parë kryesisht përgjigje të pasuksesshme të SHBA karshi sfidave nga Kina, Rusia e madje edhe Irani teksa çështje globale si ndryshimet klimatike, fluksi i refugjatëve dhe migruesve, dhe pandemia intensifikohen. Nga ky këndvështrim, George W. Bush, Barack Obama, Donald Trump dhe Joe Biden duket se kanë dështuar që të gjithë; dhe nga pushtimi i Irakut te tërheqja nga Afganistani, historia e politikës së jashtme amerikane pas 11 Shtatorit edhe për sytë dashamirës është një histori në rënie të vazhdueshme.

Historikisht, ata që predikojnë dështimin e SHBA kanë rezultuar vazhdimisht të gabuar dhe vitaliteti e kreativiteti i vazhdueshëm i shoqërisë amerikane sugjeron se edhe këtë herë pesimistët mund ta humbin trenin. E megjithatë, perceptimi se SHBA po e humb stabilitetin e brendshëm edhe ndërsa dështon në menaxhimin e ngjarjeve jashtë, po i bën si aleatët ashtu edhe kundërshtarët të marrin në konsideratë faktorin e rënies së vazhdueshme amerikane në vendimmarrjet e tyre.

Ndalimi i erozionit të kredibilitetit të SHBA brenda një kohe të shkurtër do të kërkonte që administrata Biden të bëjë gjithçka mundet për të pastruar rrëmujën e vet. Dhe do të duhet që Republikanët, sidomos ata me ambicie presidenciale, të demonstrojnë kapacitet si shtetarë duke u përgjigjur me diçka tjetër përveç schadenfreude-s (kënaqësi nga dështimet dhe problemet e të tjerëve). Kjo do të bënte shumë më tepër se sa talljet për të risiguruar një botë dyshuese për cilësinë e lidershipit amerikan.

Sapo kjo krizë urgjente të ketë kaluar, mund të nisë puna e vërtetë e rimendimit të politikës së jashtme të SHBA. Siç e thotë guruja i menaxhimit Stephen Covey, “Me bisedime mund ta nxjerrësh veten nga telashet ku të futi sjellja jote”. Për të rifituar besimin e humbur brenda e jashtë vendit, Amerika do të duhet ta ngrejë politikën e saj të jashtme në një nivel më të lartë koherence dhe kompetence

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...